Foto: video / screenshot

FIFA gjobit Serbinë

Federata e Futbollit të Serbisë është gjobitur nga FIFA në lidhje me flamurin me hartën e Serbisë, që përfshinte edhe Kosovën, bashkë me mbishkrimin “Jo dorëzim” në dhomat e zhveshjes, raporton AP.

Federata serbe e futbollit u gjobit me 20,000 franga zvicerane për një flamur me një mbishkrim për Kosovën, të shfaqur në dhomat e zhveshjes përpara se të luante me Brazilin në ndeshjen hapëse.

Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA për këtë flamur, i cili ishte varur mbi dollapët e dy lojtarëve të Serbisë më 24 nëntor.

FIFA i gjobiti edhe kroatët me 50,000 franga zvicerane pasi tifozët e ekipit abuzuan verbalisht dhe talleshin me portierin kanadez Milan Borjan, i cili ka lidhje familjare serbe.

FIFA tha se akuza kundër Kroacisë lidhej me “përdorimin e fjalëve dhe objekteve për përçimin e një mesazh që nuk është i përshtatshëm për një ngjarje sportive”.

Borjan ka lindur në një rajon etnik serb të Kroacisë. Ai dhe familja e tij u larguan nga vendlindja e tyre në vitin 1995 kur u pushtua nga forcat kroate. Serbët etnikë thuhet se kanë ikur me traktorë.

Gjatë humbjes 4-1 të Kanadasë më 27 nëntor, një baner i shfaqur nga tifozët e Kroacisë përdori një flamur të prodhuesit të traktorëve “John Deere” dhe ndryshoi sloganin e marketingut për të synuar Borjan.

FIFA gjithashtu gjobiti Arabinë Saudite me 30,000 franga zvicerane për “sjellje të keqe të ekipit” pasi mori gjashtë kartona të verdhë në ndeshjet kundër Argjentinës dhe Meksikës.