Ilustrim

Fier, Policia zbulon lokalin ku organizoheshin lojërat e fatit

Policia e Shtetit ka arritur që përmes rrugëve të saj operative të zbulojë në Fier një objekt brenda të cilit organizoheshin lojërat e palejuara me ligje në Shqipëri.

Dy persona janë arrestuar në lidhje me këtë rast ndërsa 2 të tjerë do të ndiqen për vepër penale.

Sipas policisë, njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me njësinë për  Mbështetjen Operacionale të Hetimit në Fier, kanë evidentuar një rast të vënies së basteve sportive, nëpërmjet aparateve celulare dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Game over 2”.

Në këtë lokal janë sekuestruar tre aparate celulare në të cilët u gjetën faqe të basteve sportive me shuma të konsiderueshme në lekë dhe euro dhe biseda për vendosjen e llotove sportive.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit L. B., 31 vjeç dhe A. M., 23 vjeç, banues në Fier, si edhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. M., 41 vjeç dhe M. M., 60 vjeçe.

Si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara nga shërbimet e Policisë,  shtetasit e arrestuar u kapën në flagrancë, në lokalin në pronësi të shtetases M. M. dhe djalit të saj A. M., në lagjen “11 Janari”, Fier, duke vënë baste sportive, me celularët e tyre, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.