FIBA i ndryshon grupin Kosovës në eFIBA Season 3, e cakton në një grup ku s’ndeshet me Serbinë
Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se grupi ku është e përfaqësuar Kosova për fazën e parakualifikueseve të Kampionatit Botëror në eSports Basketboll eFIBA Season 3 ka ndryshuar për shkak që të mos jetë në grupin e njëjtë me grupin përfaqësues të Serbisë në këtë Kampionat Botëror.
Kështu e ka njoftuar Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) Federatën e Basketbollit të Kosovës.
Në këtë rast, Kosova do të jetë pjesë e Grupit A, me përbërje tjetër të shteteve me grupet përfaqësuese të tyre në Kampionatin Botëror në eSports Basketboll eFIBA Season 3.
“Kosova tash do të jetë pjesë e Grupit a, bashkë me ekipet kombëtare të Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Zvicrës, Suedisë dhe Greqisë” – thuhet në njoftimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës më 20.09.2024.
Serbia është njëri prej shteteve që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por edhe në Grupin A, ku është përcaktuar grupi i Kosovës në eSports Basketboll eFIBA Season 3, është Greqia, që po ashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Sipas njoftimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndeshjet do të luhen më 08.10.2024 dhe 10.10.2024.
“Pesë nga këto shtatë ekipe kombëtare do të kualifikohen për fazën e dytë të kampionatit, kualifikueset regjionale. Super ndeshje po na presin në rrugën e ekipit tonë për kualifikim në fazën tjetër” – kanë shtuar nga FBK.