FFK tregon rregullat e sigurisë për tifozët para ndeshjes Kosovë - Angli

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se dyert e stadiumit “Fadil Vokrri” për ndeshjen kualifikuese Euro 2020, Kosovë – Angli, më 17 nëntor 2019, do të hapen në ora 16:00, ndërsa ndeshja fillon prej orës 18:00.

Sipas FFK-së, asnjë person, përfshirë edhe fëmijët pavarësisht moshës nuk do të lejohen të hyjnë në zonën e stadiumit pa biletë.

“Në hyrjet e stadiumit si dhe brenda stadiumit do të aplikohen masa të rrepta kontrolli prandaj luten të gjithë qytetarët që të lexojnë me kujdes rregullat e mëposhtme dhe t’i respektojnë kërkesat”, thuhet në njoftim.

FFK më tej thekson se qytetarët të cilën nuk i përfillin rregullat e sigurisë mund të jenë subjekt për ndëshkim nga organet ligjore.

Rregullat, sipas njoftimit të FFK-së:

Dyert e stadiumit hapen në ora 16:00.

Luten qytetarët që të vijnë me kohë në stadium, duke filluar nga ora 16:00 për të shmangur tollovinë.

Nuk shiten bileta në zonën e stadiumit. Qytetarët të cilët nuk kanë biletë luten të mos vijnë në zonën e stadiumit sepse shkaktojnë tollovi. Qytetarët pa biletë do të largohen nga policia.

Nuk lejohet hyrja pa biletë. Një bilete një person. Asnjë person, pavarësisht moshës, nuk do të lejohet të hyjë në stadium pa biletë. Kjo vlen edhe për femijët.

Gjërat qe nuk lejohen në stadium do te konfiskohen në hyrje. Gjërat e palejuara përfshijnë:

Mjetet piroteknike

Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë

Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë

Pijet alkoolike dhe substancat narkotike

Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit te fëmijëve 24 muajsh) si fara, cipsi, smoki, kikirikë, lajthi, badem, etj.

Ombrella

Armë zjarri ose armë të ftohta apo cfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë

Sende të rënda (canta shpine, karrige të palosshme, etj) etj.

Kamera profesionale dhe video kamera

Pajisjet elektronike, mekanike ose manuale, që prodhojnë zhurmë, si megafonë, bori ose vuvuzele

Materialet promovuese ose komerciale

Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar

Luten qytetarët që gjatë intonimit të himneve të respektohet qetësia!

Qytetarët njoftohen që, për arsye të sigurisë, nuk lejohet bllokimi i rrugëve të evakuimit në tribuna. Prandaj, ulja në shkallët e stadiumit është rreptësisht e ndaluar.