FFK: Ndeshjet e futbollit do të zhvillohen pa tifozë
Federata e Futbollit të Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ndeshjet e Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohen pa praninë e tifozëve në stadiume.
Këtë vendim FFK e ka marrë duke u bazuar në vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e sëmundjes COVID 19.
“Të gjitha ndeshjet e futbollit në Kosovë në kategorinë e seniorëve do të zhvillohen pa praninë e publikut deri më 27 mars, 2020, derisa ligat e juniorëve dhe grupmoshave të reja pezullohen përkohësisht (deri në një vendim të ri)”, thuhet në komunikatën e FFK-së.
FFK ka kërkuar nga klubet organizatore që zhveshtoret t’i pajisin me dezinfektues të duarve.
Poashtu, ka përjashtuar edhe obligimin që është para fillimit të ndeshjes, përshëndetja dorë më dorë mes futbollistëve.
“Në stadiume gjatë zhvillimit të ndeshjeve do të jenë të pranishëm vetëm stafet e skuadrave, zyrtarët e FFK-së, zyrtarët e klubeve, zyrtarët policorë dhe përfaqësuesit e mediave”, thuhet në mes tjerash në këtë komunikatë.