FFK-ja pezullon gjyqtarin për shkak të postimeve ndaj Albin Kurtit

Komisioni i Gjyqtarëve i kryesuar nga Përparim Hasani, kanë marrë vendim që të pezullojnë nga puna gjyqtarin Qendrim Vata, për shkak të postimeve të tij politike në rrjetet sociale,  ndaj kryeministrit në largim Albin Kurti.

Sipas njoftimit të FFK-së, Komisioni i Gjyqtarëve rastin në fjalë e ka deleguar në Komisionion Disiplinor të FFK-së, ku do të kërkohet edhe deklarata e gjyqtarit në fjalë.

“Komisioni i Gjyqtarëve u bën thirrje të gjithë gjyqtarëve që të mos shprehin qëndrime politike, e aq më pak të shprehën në forma të tilla ofenduese për cilindo politikan apo institucion. Sporti është vetëm sport”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit.

Ndërsa në anën tjetër, gjyqtari në fjalë Qendrim Vata, përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ka thënë se llogarita e tij në rrjete sociale i është ‘thyer’ dhe se i janë postuar fotografi, pa dijeninë e tij.

“Unë i demantoj të gjitha lidhjet e mia me ndonjë parti politike, e në veçanti anti-Vetëvendosje pasi që jam person i sportit dhe nuk më takon në kompetencat e mia të flas rreth situatuave aktuale në politikë dhe ndihem tejet i indinjuar me këtë ndodhi e cila mu paraqit sonte”, ka shkruar gjyqtari Vata në ‘Facebook’.