FFK-ja lejon që “Ballkani” e “Drita” t’i zhvillojnë ndeshjet në kuadër të Ligës së Konferencës në stadiumin “Fadil Vokrri”

Stadiumi “Fadil Vokrri” është i gatshëm për të mirëpritur ndeshjet e rrethit të tretë të Ligës së Konferencës dhe ndeshjen promovuese të AlbiMall Superligës.

Kështu ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës, përmes një njoftimi në ueb-faqen e saj zyrtare më 02.08.2024.

FFK thotë se stadiumi “Fadil Vokrri” do t’i mirëpresë dy ndeshjet e rrethit të tretë të Ligës së Konferencës, që zhvillohen më 8, përkatësisht 15.08.2024,  si dhe ndeshjen e javës së parë të AlbiMall Superligës, Prishtina – Suhareka 23.

Sipas njoftimit, ka qenë vetë presidenti i FFK-së,  Agim Ademi, që ka bërë të ditur se për dhënien e “dritës së gjelbër” që këto ndeshje të zhvillohen në stadiumin e rinovuar.

“Kemi vendosur që të lejojmë zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, përkundër faktit që fushës ende i duhet kohë, por stafi i stadiumit e ka bërë të pamundurën që ajo të përgatitet në kushte optimale. Nuk kemi dashur që klubet tona të vijnë në situatë që t’i zhvillojnë ndeshjet e këtij rrethi jashtë vendit. Uroj që ato të kenë sukses në fushën e re të stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe të kalojnë tutje në Ligën e Konferencës” – ka theksuar kreu i FFK-së, citon njoftimi.

Po sipas njoftimit, presidenti Ademi po ashtu ka uruar edhe të gjitha klubet për kampionatin e ri, i cili nis më 10.08.2024.

Ademi, citohet të ketë thënë se FFK i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për edicionin e ri garues.

Sipas njoftimit, ekipi i futbollit “Ballkanit” do të jetë i pari që do të zbresë në stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen e parë të rrethit të tretë në kuadër të Ligës së Konferencës kundër skuadrës nga Irlanda e Veriut, “Larne” si vendase, më 08.08.2024, derisa më pas më 11.08.2024, Prishtina do të luajë kundër Suharekës 23. Po ashtu më 15.08.2024 “Drita” do të jetë mikpritëse e skuadrës FK “Auda” nga Letonia, në kuadër të Ligës së Konferencës.

Pas këtyre ndeshjeve, sipas FKK-së fusha do të rikuperohet në mënyrë që të jetë e gatshme për ndeshjen e Kombëtares së Kosovës kundër Rumanisë në fillim të shtatorit.