Foto: FFK

FFK deklarohet për ndeshjen e Kupës së Serbisë brenda Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës ka thënë se nuk do ta lejojë që një klub nga serbia të mbajë ndeshje zyrtare brenda territorit të Kosovës.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së, tha se zhvillim i një ndeshjeje të tillë brenda territorit të një shteti tjetër do të përbënte shkelje të parimeve sportive.

“Jo nuk do t’i lejojm sepse shkelen të gjitha parimet sportive, statutet përkatëse dhe integriteti territorial i shtetit”, tha Salihu për KALLXO.com.

Ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, reagoi ashpër kundër ndalesës që iu bë futbollistëve në kufi.

“Duke tentuar të vendosin perde të hekurt ndërmjet Serbisë qendrore dhe krahinës sonë jugore, prishtina po zgjedh rrugën e vetë-izolimit”, tha Gjuriq.

Futbollistët e klubit nga Beogradi, ‘Crvena Zvezda’, kishin arritur paradite në pikën kufitare Kosovë- Serbi në Jarinje por Policia e Kosovës nuk i ka lejuar të hyjnë në territorin e Kosovës, raporton televizioni serb RTS.

RTS raporton se pas një kohe të pritjes në kufi, futbollistët janë kthyer drejt Beogradit ndërsa ndeshja të cilën ata kishin planifikuar ta zhvillonin në Zveçan është shtyrë për të enjten dhe me siguri do të zhvillohet në një nga stadiumet brenda Serbisë.

Ata janë nisur sot nga Beogradi drejt Zveçanit ku është caktuar të luhet ndeshja në kuadër të Kupës së Serbisë kundër klubit ‘Trepça’ të Mitrovicës së Veriut, të cilin federata e Futbollit e Kosovës e konsideron si ilegal.

Drejtori sportiv i këtij klubi Bojan Jakshiq citohet nga mediat serbe të ketë thënë se ka marrë njoftimin nga Policia e Kosovës që kjo ndeshje nuk do të lejohet të zhvillohet.

Ditë më parë, FFK i kishte kërkuar Policisë së Kosovës që të mos e lejojë këtë ndeshje ë zhvillohet duke thënë se kjo federatë është organi i vetëm i autorizuar për të organizuar ndeshje të karakterit zyrtar brenda territorit të Kosovës.

Ndërkohë, FIFA ditë më parë e ka ‘inkurajuar’ FFK-në që ta lejojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje.