Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai
Fetai: Krimet që synojnë të dëmtojnë sigurinë e një shteti sovran, s'kanë vend në rajonin tonë
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka dënuar ashpër sulmet kriminale dhe terroriste ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, përfshirë shpërthimin në Ibër- Lepenc.
“Krimet e tilla, që synojnë të dëmtojnë rendin dhe sigurinë në një shtet sovran, nuk kanë vend në rajonin tonë dhe nuk do të kenë sukses” – ka shkruar ai në Facebook, më 30.12.2024
Fetai ka shtuar se autorët e këtyre sulmeve duhet të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë.
“Si Zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut mbështes përpjekjet për drejtësi, paqe dhe stabilitetit në fqinjësinë tonë të përbashkët” – ka shtuar Fetai.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit të shkaktuar, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Kryeshefi i Ibër Lepencit, Faruk Mujka ka thënë se besojnë që së shpejti do të bëjnë zgjidhje edhe për ujë të pijshëm.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit