“Festo me zemër, jo me armë”, shtohen raportimet e qytetarëve për të shtënat me armë në ahengje
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, gjatë takimit për zbatimin e Strategjisë dhe Udhërrëfyesit Rajonal për Armë të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivë –AVLE, bëri të ditur se ka numër të shtuar të raportimeve nga ana e qytetarëve për të shtëna në ahengje familjare.
Ky takim pati theks të veçantë fushatën vetëdijësuese: “Festo me zemër, jo me armë”, që është duke u zbatuar aktualisht nga MPB-ja. Me këtë rast, zëvendësministri Gashani, vuri në pah se kjo fushatë do të vijojë të jetë dinamike gjatë gjithë vitit me qëllim që të arrihen synimet për rënien e numrit të rasteve ku ka të shtëna festive.
“Fushata është duke i dhënë efektet e saj, pasi kemi një numër të shtuar të rasteve kur qytetarët janë duke i raportuar këto të shtëna, ndërkohë që këto raportime janë duke u trajtuar seriozisht në veprime konkrete nga Policia e Kosovës, të cilët janë dukë ndërhyrë në konfiskimin e armëve dhe arrestimin e të dyshuarave”- bëhet e ditur në komunikatë.
Në komunikatë potencohet se në këtë takim si sfidë e rëndësishme u diskutua edhe forma e cilësimeve të veprave, “në rastet kur ka të shtëna me armë dhe i gjithë grupi u dakordua se kjo formë në të ardhmen duhet të ndryshojë bazuar në ligjet në fuqi dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës”.
Në këtë takim, sipas MPB-së, u bë po ashtu një vlerësim i përgjithshëm i të gjitha objektivave strategjike dhe zbatimit në praktikë të aktiviteteve që dalin nga Strategjia dhe Udhërrëfyesi Rajonal, ku u konstatua se një pjesë e madhe janë duke u zbatuar sipas dinamikës së planifikuar.
Raportimi i të shtënave në policinë e Kosovës bëhet si në vijim:
* TEL: 192
* Aplikacioni “Lajmëro Policinë”
* Në stacionin më të afërt