Teatri i Gjilanit. Foto: Facebook
Festivali ‘Talia e Flakës 2025’, themelohet çmimi që nxit shkrimin e dramës shqipe
Themelimi i çmimit për dramën më të mirë origjinale të shkruar është risia e Festivalit të dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës 2025” që mbahet ndërmjet 22.01.2025 e 28.01.2025 në Gjilan.
Festivali “Talia e Flakës” mbahet në kuadër të manifestimit tradicional mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, që hapet të shtunën, më 11.01.2025.
Edicioni i 34-të i “Talias së Flakës” organizohet nga OJQ ‘Varg e Vi” në bashkëpunim me Teatrin e Qytetit të Gjilanit.
Festivali ka karakter garues dhe përveç çmimit të sapothemeluar ndahen edhe disa çmimet të tjera.
Konkursi për çmimin për dramën më të mirë origjinale të shkruar është hapur më 07.01,2025 dhe sipas organizatorëve të Festivalit, themelues të çmimit, konkursi mbetet i hapur deri më 22.01.2025.
Aktori Avni Shkodra, një nga themeluesit e “Varg e Vi’, ka thënë për KALLXO.com se çmimi do të stimulojë krijimin e dramës shqipe, e siç ka thënë ai, edhe të inskenimit të saj, qoftë në Teatrin e Gjilanit, teatrot kombëtare, etj.
“Ideja (për themelimin e këtij çmimi) është që të përkrahet drama origjinale shqipe, duke krijuar mundësi që të paktën dikush t’ua lexojë dramat tekstshkruesve tanë, tutje stimulimit dhe shpërblimit për dramë fituese, e po ashtu me shumë gjasë edhe inskenimin e saj në Teatrin e Gjilanit”- ka thënë ai.
Shkodra ka thënë se drama fituese e çmimit për dramën më të mirë origjinale të shkruar do të vlerësohet nga një komision tjetër e jo nga juria e “Talias”. Sipas tij, drama fituese e shkruar kompensohet materialisht nga mjetet e grumbulluara prej biletave të “Talias 2025”.
“Drama fituese kompensohet materialisht në vlerë 1,000 euro dhe konsiderohet si dramë potenciale për inskenim në Teatrin e Qytetit në Gjilan. Çmimi dorëzohet në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ‘Flaka e Janarit 2025’”- ka thënë Shkodra.
‘Flaka e Janarit 2025″
Edicioni i 34-të i manifestimit mbarëkombëtar kulturor “Flaka e Janarit” do të nisë të shtunën, më 11.01.2025, në Gjilan.
Sipas programit të publikuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Gjilanit, gjatë këtij edicioni të “Flakës së Janarit” do të mbahen një sërë aktivitetesh si: festival i muzikës, dramës, ekspozita, orë letrare.
Manifestimi “Flaka e Janarit” mbyllet me një gala mbrëmje më 31.01.2025.