Foto: Sunny Hill Festival/Facebook

Festivali "Sunny Hill" bën thirrje që Kosovës t’i liberalizohen vizat

Festivali “Sunny Hill” i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të liberalizohen vizat për Kosovën.

Në thirrjen e këtij festivali është thënë se Kosova ka 11 vjet që kur ka mbetur i bllokuar liberalizimi i vizave për Kosovën dhe vazhdon të mbetet një premtim i paplotësuar.

“Që nga viti 2018, Kosova ka përmbushur të 95 standardet për liberalizim të vizave të përcaktuara nga BE-ja që është më shumë se dyfishi i numrit të vendeve fqinje”, është thënë në postimin Festivalit “Sunny Hill”.

Në vijim është theksuar edhe thirrja që t’i lejohet rinisë së Kosovës që të udhëtojë nëpër Evropë pa kufizime.

“Lejoni rininë tonë të udhëtojë pa kufizime dhe të eksplorojë bukuritë e Evropës, na jepni lirinë tonë për të lëvizur”, ka qenë apeli që Festivali “Sunny Hill”.

“Gjersa BE-ja vendos kufijtë rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë gjallë imagjinatën tonë për t’u çliruar”.

Përmes këtij postimi, Festivali “Sunny Hill” po ashtu i ka njoftuar pjesëmarrësit që në hyrje të këtij festivali se ata do të kenë mundësinë që të marrin nga një byzylyk me mbishkrimin “#SETMEFREE” me ç‘rast u ka bërë thirrje atyre që t’i bashkohen kësaj nisme dhe t’i vendosin këta byzylykë.

Festivali “Sunny Hill” është rikthyer në Kosovë pas dy vitesh pasi përgjatë viteve 2020 dhe 2021 nuk është mbajtur si pasojë e gjendjes me pandeminë COVID-19. Ndërkaq, edicioni i sivjetshëm do të mbahet përgjatë datave 4,5,6 dhe 7 gusht.

Përgjatë këtyre netëve do të perforojnë artistë vendorë e ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve është edhe këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.