Foto: FB e Oktoberfest
Festivali 'Oktoberfest' ashpërson masat pas sulmit vdekjeprurës në Gjermani
Organizatori i festivalit të madh të birrës “Oktoberfest” ka premtuar se do të jetë “vendi më i sigurt në Gjermani”, ka raportuar të enjten(19.09.2024) televizioni Euronews.
Masat e sigurisë janë ashpërsuar në kohën kur vendi po merret me debatin e nxitur nga sulmi vdekjeprurës me thikë në gusht 2024 në Solingen të Gjermanisë perëndimore.
Para ngjarjes, që pritet t’i tërheqë rreth gjashtë milionë vizitorë, zyrtarët i kanë paralajmëruar pjesëmarrësit eventualë se do të presin më gjatë në radhë në pikat e hyrjes për shkak se do të vendosen detektorë metalikë për herë të parë në festivalin bavarez të birrës, që ka histori 189-vjeçare.
Autoritetet kanë thënë se nuk ka kërcënime specifike për festivalin më të madh botëror popullor, që nis të shtunën (21.09.2024) dhe zgjasë 16 ditë.
Shtrëngimi i masave është bërë për shkak të sulmit në Solingen më 23.08.2024 që la të vdekur tre persona dhe tetë të tjerë u plagosën.
Një i dyshuar sirian 26-vjeçar është akuzuar për kryerjen e sulmit me thikë. Ai ishte një azilkërkues të cilit i ishte refuzuar aplikacioni dhe se pritej të kthehej në Bullgari.
Grupi i ashtuquajtur “Shteti Islamik” e ka marrë përgjegjësinë për masakrën, megjithëse nuk ka ofruar dëshmi.
Dhuna “e ka dridhur” Gjermaninë dhe e ka kthyer temën e emigrantëve në krye të agjendës politike të vendit. Si kundërpërgjigje, Ministria e Brendshme gjermane ka kthyer përkohësisht kontrollet kufitare në të gjitha pikat tokësore prej kësaj jave.
Kthimi i kontrolleve pritet të zgjasë gjashtë muaj, duke kërcënuar me testim të unitetit europian. Fqinjët, si Austria, tashmë kanë shprehur kundërshtimin e tyre.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com