Foto: Facebook.

Festivali ‘Hasi Jehon’ propozohet të futet në listë të mbrojtjes së përhershme

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe organizatorët e Festivalit Folklorik “Hasi Jehon”, kanë propozuar që ky festival të marr statusin e asetit nën mbrojtje të përhershme.

Ky propozim vjen në 45 vjetorin e themelimit dhe në edicionin e 31-të të këtij festivali.

“Me rastin 45 vjetorit të themelimit të Festivalit folklorik ‘Hasi Jehon’ Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në bashkëpunim me organizatorët e këtij festivali, kanë përgatitur formularin dhe propozimin pranë Komisionit profesional shqyrtues për përfshirje në listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme në kategorinë e trashëgimisë shpirtërore”, thuhet në njoftimin e QRTK në Prizren.

Po sipas këtij njoftimi, Festivali “Hasi Jehon” si manifestim i përshpirtshëm kulturor, në skenën e festivalit, sjell vlerat më autentike të trashëgimisë shpirtërore, është unik, më i vjetri dhe më i organizuari në veprimtarinë e këtij lloji në trevat e Ballkanit.

Ky festival është themeluar në shtator të vitit 1976, nga SH.K.A “Malësori” dhe rinia e fshatit Gjonaj. Festivali Folklorik “Hasi Jehon”, bazohet në disa shtylla të veprimtarisë së vet dhe ato kanë bazë dhe ekskluzivitetit, trashëgimisë shpirtërore e që identifikohet me folklor burimor, vallet, këngët, lojërat, doket dhe zakonet e mbarë trevave shqiptare.

Edicioni i 31-të i këtij festivali ka nisur dje në Gjonaj të Hasit të Prizrenit.