Festivali ‘Etno Fest 2020’ mbahet javën e ardhshme  

Edicioni i dhjetë i Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale “Etno Fest 2020” do të mbahet nga 25  deri më 27 shtator 2020 në Kukaj të Prishtinës.

Për shkak të situatës me COVID-19, edicioni i sivjetmë i këtij festivali do të zgjasë tri ditë.

Përmes një njoftimi për media, organizatorët e këtij festivali bëjnë të ditur se pas përmirësimit të situatës me coronavirus dhe pritjeve për përmirësim në ditët në vijim, këshilli organizativ i festivalit ka vendosur që festivali të mbahet nga 25 deri më 27 shtator 2020.

“Meqenëse ka shenja të vogla përmirësimi të situates sanitare, dhe pritje të një përmirësimi në ditët që vijon, këshilli organizativ i festivalit, në konsultim me profesionistët mjekësor, vendosi që festivalin ta mbajë në version të reduktuar tre ditor, duke filluar nga dita e premte  25  shtator deri ditën e diele 27 shtator, me një program mjaft të pasur por që do të shtrihet njëkohësisht në shumë hapësira  që posedon etno kompleksi  dhe me një shtrirje kohore më të gjatë duke filluar nga mesdita  e deri në orët e vona të mbrëmjes,  për të evituar grumbullimin e shumë personave në një hapësirë në të njëjtën kohë”, thuhet në njoftimin e “Etno Fest-it”.

Po sipas njoftimin, gjatë mbajtjes së festivalit bartja e maskave do të jetë e detyruaeshme, ndërsa solucionet hidroalkoolike do të jenë prezente në disa pika të kompleksit ku do të mbahet festivali.

Edicioni jubilar “Etno Fest 2020” ishte paraparë që të mbahej nga data 20 deri 25 gusht 2020, por përkeqësimi i situatës nga pandemia COVID -19 detyroi organizatorët që mbajtjen e festivalit ta shtyjnë për datat 25-27 shtator.