Pamje nga një edicion i kaluar i 'Dokufest'-it - Foto: Facebook

Festivali ‘Dokufest’ vjen me edicion hibrid në përvjetorin e tij të 20-të

Edicioni jubilar, i 20-ti me radhë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest” do të mbahet nga 6 deri më 14 gusht, 2021 në Prizren.

Për dallim nga viti i kaluar këtë vit pritet edhe prezenca fizike e filmbërsve dhe prezantimi i shumë filmave të zhanreve dhe gjinive të ndryshme në kinematë që do të hapen gjatë festivalit.

Gjatë këtij edicioni përveç shfaqjes së filmave organizatorët kanë planifikuar mbajtjen edhe të workshopeve e masterklasa për filmbërësit.

Nuk do të mungojnë edhe performancat muzikore.

Linda Llulla, drejtoreshë  ekzekutive e festivalit “Dokufest” ka thënë për KALLXO.com se këtë vit festival do të jetë hibrid, i kombinura online dhe prani fizike në kinematë e festivalit.

“Edicioni i sivjetmë do të organizohet në mënyrë hibride, që do të thotë se do të kemi një program të filmave online dhe një pjesë më të madhe fizik në 6 kinema të hapura dhe dy të mbyllura. Do të ketë panel diskutime, masterklasa dhe workshope për filmbërje gjatë ditëve të festivalit.”, ka thënë Llulla.

Këtë edicion, thotë ajo qendra e festivalit do të jetë Kalaja e qytetit me dy kinema, amfiteatrin e kalasë dhe kinemaja në muret e kalasë.

Drejtoresha Llulla ka thënë se edhe këtë vit i festivalit do të ketë 7 kategori garuese.

Stafi i festivali është duke punuar edhe në konceptin e temës së festivalit dhe pritet që shpejt të bëhet publik.

Lehtësimi i masave anti-COVID-19, ka rritur interesimin për pjesëmarrje në edicionin e 20-të të “Dokufestit” nga kineastët e huaj.

“Ne kemi ftuar mysafirë, por jo si viteve më parë para pandemisë. Ka shumë të interesuar nga rajoni dhe ne po presim një numër të madh të vizitoreve. Ata do të jenë të akomoduar nëpër hotele dhe shtëpitë private. Departamenti i mikpritjes i ‘Dokufest’ veç ka filluar punën me rezervime për mysafiret tanë”, ka thënë drejtoresha e festivalit, Linda Llulla për KALLXO.com.

Vitin e kaluar për shkak të përhapjes pandemisë së Coronavirusit dhe masave qeveritare, festivali “Dokufest” ishte  mbajtur në versionin online.

Tradicionalisht festivali “Dokufest” mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Këtë viti MKRS ka ndarë 20 mijë euro për këtë festival.