Ilustrim - Foto: PK

Festimet me armë, qytetarëve iu dëmtuan veturat nga plumbat bredharakë

Nga festimet me armë zjarri për Vit të Ri janë dëmtuar disa vetura në qytete të ndryshme të Kosovës.

Këto raste nga Policia po trajtohen si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Një qytetar nga Podujeva ka raportuar dje rreth orës 1:00 se nga një plumb qorr i është dëmtuar xhami i veturës me vlerë rreth 150 euro. Predha është konfiskuar, rasti është duke u hetuar.

Edhe një qytetar nga Prishtina ka raportuar më 31 dhjetor rreth orës 23:55 se një plumb qorr ka goditur një veturë duke depërtuar në brendi.

Nuk raportohet për të lënduar. Forenzika në veturë ka gjetur dhe konfiskuar një predhë të AK-47.

Një qytetar tjetër nga kryeqyteti ka raportuar në Polici se gjatë natës së ndërrimit të moteve nga një plumb bredharak  i është dëmtuar vetura  e tij.

Predha është konfiskuar e rasti vazhdon të hetohet.

Edhe në Prizren një qytetar ka raportuar se vetura i është dëmtuar nga një plumb bredharak.

Rasti është në procedurë hetimore.