“Festë” për problemet e rinisë

Dita Ndërkombëtare e Rinisë u shënua me 12 gusht në shumë vende të botës. Njëjtë ndodhi edhe në Kosovë, madje organizime e festime për këtë ditë pati edhe gjatë ditës së sotme.

Organizata jo qeveritare “SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime” dhe “Cerendrum” platformë multimediale, sot organizuan festivalin “Shnetë e jetë” me të cilin shënuan Ditën e Rinisë.

Në këtë festival morën pjesë të rijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës. Kjo ditë festohet, ndonëse rinia e Kosovës përballet me shumë probleme, e që një ndër këto probleme është papunësia e mbështetja e pamjaftueshme e institucioneve.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në tre mujorin e tretë të 2020 – ës, shkalla e papunësisë tek të rinjtë ishte 46.9%.

Njëra nga pjesëmarrësit në “Shnetë e jetë”, Elza Islami tha se institucionet nuk po e përkrahin rininë aq sa duhet.

“Institucionet nuk na përkrahin sa duhet, unë njoh të rinj e të reja që kapaciteti i tyre është shumë i lartë e këtu trajtohen keq e janë shumë poshtë”, është shprehur Islami për KALLXO.com.

Sipas saj, organizimet e tilla i sjellin kënaqësi rinisë. Mirëpo, prapë punë nuk i sigurojnë.

“Kur të mendosh që ti po bënë organizime për rini, po bënë festa për rini, po i bënë krejt qeto për rini, atëherë pse, veç sa me u kënaq një orë dy?. Pse nuk mendojmë më shumë, pse nuk ia krijojmë një vend të punës se qetu mundemi me ardhë një orë kënaqemi edhe krejt në rregull, po çka ka mas kësaj, ky i ri ka me shku ka me mendu krejt qeto e kom bo po tash ku me gjetë unë punë, qetu është problemi”, shtoi ajo.

E njëjta tregoi se si gjatë kohës së pandemisë kishte mbetur pa punë dhe nuk kishte se ku të drejtohej që të gjente punë e të paguante koston për fakultetin.

“Gjatë pandemisë vet edhe unë kam mbet pa punë edhe e kam pas shumë të vështirë, as vet nuk e disha te kush me shku edhe me i thanë që mu më duhet punë, se jam e re, jam studente, studimet duhet me vazhdu duhet me pas punën që me u pagu fakultletn”, është shprehur Islami.

Edhe Njomza Berisha, pjesë e këtij organizmi, nuk është e kënaqur me gjendjen e rinisë në Kosovë.

Ajo tha se duhet shfrytëzuar kapaciteti i rinisë e se politikat për rininë nuk janë të mira mjaftueshëm për zhvillimin e saj.

“Në aspektin rinor ne e dimë se politikat rinore mungojnë shumë. Sa do që ne themi kemi kapacitet për shkak të numrit të madh të të rinjve. Mirëpo, po harrojmë që kapaciteti i rinisë duhet me u shfrytëzu e nuk duhet me lanë vetëm me u thirrë në emër të rinisë”, ka thënë ajo.