Festë në Kherson, por lufta nuk ka mbaruar

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se “lufta nuk ka përfunduar” pas tërheqjes së Rusisë nga Kherson, edhe pse festimet vazhdojnë gjatë fundjavës.

Turmat brohoritëse mirëpritën trupat ukrainase në qytet – i vetmi kryeqytet rajonal i marrë nga Moska që nga shkurti – të premten.

Skena të ngjashme gëzimi u raportuan në rajone të tjera anembanë Ukrainës, duke përfshirë kryeqytetin, Kiev dhe Odesa.

Por, pavarësisht goditjes ndaj ambicieve të Moskës, zyrtarët mbeten të kujdesshëm.

Yuriy Sak, një këshilltar i ministrit ukrainas të mbrojtjes, paralajmëroi BBC se ishte “shumë herët për t’u çlodhur”.

“Ne gjithmonë kemi besuar se do të çlironim Kherson,” tha ai për programin “Today” të Radio 4 teksa shtoi se”dhe ne jemi të sigurt se tani rusët kanë filluar të besojnë se ata kurrë nuk do të jenë në gjendje ta fitojnë këtë luftë. Ne shohim panikun në radhët e tyre. Ne shohim panik në makinën e tyre propagandistike.

“Por sigurisht, ky është një moment shumë i rëndësishëm, por… kjo luftë nuk ka përfunduar”.

Khersonit i mungon uji i rrjedhshëm, ilaçet dhe ushqimi, por furnizimet e urgjencës kanë filluar të mbërrijnë nga Mykolaiv aty pranë, thotë një ndihmës i kryebashkiakut të qytetit.

Ndihmësi, Roman Golovnya, thotë se 70-80,000 njerëz jetojnë në Kherson tani, nga një popullsi prej 320,000 e para luftës.

Nuk është ende e qartë se kur do të rikthehet energjia elektrike në qytet – zonat pranë pritet ta rikthejnë atë pas disa ditësh.

Sak paralajmëroi për rrezikun e vazhdueshëm të sulmeve me raketa – siç bëri Oleksiy Kuleba, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Kievit. Rusia ka qëlluar me raketa në infrastrukturën energjetike të Ukrainës javët e fundit, duke dëmtuar rëndë prodhimin e vendit.

Kuleba i tha BBC: “Gjatë muajit të kalua kemi parë bombardime masive të vendbanimeve paqësore në Ukrainë. Tani dua të them se kërcënimi i sulmeve me raketa në rajonin e Kievit mbetet i lartë”./21Media