FES tregon për rrugën drejt zhvillimit ekonomik të Kosovës

Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES) ka organizuar kongresin nacional “Kosova që ne duam – Siguri Sociale- Zhvillim Ekonomik – Punë dhe Jetë të Dinjitetshme”, në bashkëpunim me partnerët vendas.
Frank Hantke, drejtor ekzekutiv i Friedrich Ebert Stiftung (FES), tha se ka 18 vite që kanë zhvilluar konferenca me shoqërinë civile dhe kanë bashkëpunuar me partnerë që kanë dashur të kenë kushte më të mira për jetesë.

“Në këtë tërësi ka edhe të tjerë që kanë punuar në këto fusha dhe mund të supozojmë se një kompetencë më e madhe ekziston në Kosovë sa i përket zhvillimit ekonomik shoqëror”, tha ai.

Sipas tij, zhvillimi ekonomik nuk do të ndodhë vetëm me materiale, punime ose trokitje nëpër dyer të përgjithshme.

“Në të gjitha vendet ku kemi lëvizje të shoqërisë civile, në Kosovë kemi më shumë organizata se në vende tjera. Por, problemi është që krejt këto organizata në kompetencën e tyre nuk krijojnë trysni të mjaftueshme politike për të qenë të kyçur në politik bërje”, tha Hantke.

Sipas tij organizatat  e shoqërisë civile në disa raste nuk e kanë besimin e qytetarëve ose u mungojnë ndërlidhjet e ngjashme ashtu siç i kanë me politikanët.

“Kritika është një domosdoshmëri në mënyrë që të kemi sukses në të ardhmen”, u shpreh ai.
Gjatë prezantimit të platformës “Kosova që ne duam”, Hantke tha se synimet kryesore i kanë për mirëqenien e qytetarëve dhe pas një periudhe të gjatë kohore kanë vendosur të bëjnë diçka të re.

“E gjithë politika udhëhiqet nga qytetarët, sepse ata e votojnë. Dhe në demokraci nuk është vetëm e drejtë, por edhe detyrë e jona”, deklaroi ai.

Ndër të tjera drejtori ekzekutiv i FES, tha se nuk synojnë ndonjë zgjidhje magjike, por duan që të diskutojnë sa i përket mënyrave të reja për të gjetur një rrugë të suksesshme.

Sipas tij për të pasur më shumë suksese në fushën e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë sociale, grupet e interesit duhet të ushtrojnë më shumë autoritet, sepse vetëm në këtë mënyrë kanë më shumë mundësi që kërkesat e tyre të arrijnë tek veshi i politikanëve.

“Vetëm vullneti i mirë nuk mjafton, por vetëm një zë i fuqishëm për zhvillim ekonomik do ketë sukses”, deklaroi drejtori ekzekutiv i FES, Frank Hantke.

Ai kërkoi që të krijohet një platformë dhe  një strategji e përbashkët në mënyrë që të arrihen objektivat që duan.

Ndërsa,  Rinor Gjonbalaj, drejtori ekzekutiv në kompaninë konsulente  MDA, ka paraqitur platformën e kësaj kompanie për zhvillimin ekonomik.

Ai tha se Kosova është vendi që eksporton më së paku mallra nga shtetet anëtare të CEFTA-s dhe papunësia është një problem i madh për vendin tonë.

“Kosovës i duhet një vizion gjithëpërfshirës për të ardhmen ekonomike të vendit, që reflekton mundësitë e Kosovës në ekonominë rajonale dhe globale”, tha ai.

Sipas tij,  duhet të fokusohemi në konkurrencën makroekonomike dhe të ndihmojmë për përmirësimin e  cilësisë së bizneseve.

E Besa Luzha përfaqësuese nga FES, gjithashtu, prezantoi metodologjinë e punës për projektin dhe grupet e ndara.

Metodën që e kanë zgjedhur të punojnë  është “Thinking Room” (Dhoma e të menduarit) dhe i gjithë procesi ka filluar me dhjetë persona në grup të cilët mendojnë së bashku  dhe më pas ato mendime bashkohen për të dhënë diçka finale.