FES prezanton draft-statut për Asociacionin: Të formohej në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Fondacioni Friedrich Ebert (FES) në Prishtinë ka prezantuar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe.

Sipas këtij draft-statusi, Asociacioni do të financohej edhe nga Serbia.

“Asociacioni/Bashkësia do të financohet nga: Kontributet nga anëtarët e saj; të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni/Komuniteti, kompanitë e saj ose nxjerrë nga pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme; Transferet nga autoritetet qendrore; Kontributet, grantet, donacionet, si dhe mbështetje financiare nga shoqata dhe organizata të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë”- thuhet në draft-status.

Ky draft statut përmban 7 kapituj me gjithsej 18 nene dhe sipas tij, Asociacioni do të formohej në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Draft-statuti thekson se Asociacioni do të mund të ishte si subjekt juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës.

Tutje, thuhet se Asociacioni do të kishte simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë ne përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale.

Ambasada amerikane në Kosovë, ka konfirmuar një takim të thirrur për të martën më 31 janar, me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një vështrim për Koha.net, ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”- kanë thënë ata.

Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.

Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij marrëveshja për asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.