Gjinekologu Leandrit Bejtullahu dhe embriologia Pënar Jedrashi duke shpjeguar procedurën e fertilizimit të asistuar mjekësor - Foto: KALLXO.com
Fertilizimi i asistuar mjekësor – Kur, ku e si do të ofrohet?
Fertilizimi i asistuar mjekësor, i njohur edhe si IVF, do të ofrohet edhe në sektorin publik të shëndetësisë deri në fund të këtij viti, sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Një pjesë e aparaturave për këtë shërbim veçse kanë mbërritur në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e të tjera janë ende në pritje.
Ministri Vitia njoftoi më 02.10.2024 se barnat e nevojshme për këtë procedurë mjekësore i kanë futur në Listën e barnave esenciale dhe tha se IVF-i do të ofrohet së shpejti në institucionet publike, pa dhënë datë të caktuar.
Një ditë më vonë, i pyetur nga gazetarët, ai tha se deri në fund të vitit shërbimi do të ofrohet edhe në sistemin publik shëndetësor.
“Pajisjet e IVF-së janë sjellë, janë duke u montuar… deri në fund të vitit ky shërbim kaq i nevojshëm për çiftet dhe gratë në Republikën e Kosovës të merret edhe në shëndetësinë publike” – tha ai më 03.10.2024.
“Shumica e pajisjeve po, një pjesë e inventarit me sa e di unë nuk është sjellë akoma. Duke iu falënderuar drejtorëve, një pjesë e kanë siguruar me donacion dhe shumë shpejt pritet që në aspektin e pajisjeve dhe inventarit të kompletohet” – shtoi ai, kur u pyet se a janë sjellë të gjitha pajisjet.
Si bëhet kjo procedurë?
Fertilizimi i asistuar mjekësor apo IVF-ja është është një proces i riprodhimit të asistuar, ku një vezë fekondohet nga sperma jashtë trupit, në një laborator. Pas fekondimit, embrioni që rezulton vendoset në mitrën e gruas për të filluar shtatzëninë.
Aparaturat që janë sjellë në repartin e IVF-së në QKUK janë të teknologjisë më të fundit në shkencën e frytnimit të asistuar mjekësor, thotë embriologia Pënar Jedrashi.
Ajo dhe gjinekologu Leandrit Bejtullahu, i cili është shef i repartit, shpjeguan se si do të kryhet kjo procedurë.
Kontakti i parë i pacientëve me stafin bëhet te kontrollimi i dokumenteve.
Bejtullahu thotë se shumica e tyre kanë nevojë për një numër të madh të analizave.
Tërheqja e qelizave vezë nga pacientja bëhet nga gjinekologët, ndërsa procedura e fekondimit bëhet nga embriologët në laborator, të cilët janë përgjegjës për bashkimin e qelizës vezë me spermatozoid.
“Këtu verifikojmë kualitetin e embrionit. Por, qëllimi kryesor është këtu bëhet procedura më e rëndësishme e IVF-së, që është bashkimi i qelizës vezë me spermatozoid” – thotë Jedrashi teksa bën me dorë nga njëra prej aparaturave.
Këto embrione kthehen sërish te gjinekologët për t’u injektuar në trupin e pacientes, siç shpjeguan mjekët.
“Kushtet janë shumë të mira në krahasim me qysh kanë qenë përpara. Banjo ka në secilën dhomë” – thotë Bejtullahu teksa qëndron në njërën prej këtyre dhomave, e cila ka dy shtretër e që shërben vetëm për qëndrim ditor.
“Qëndrimi është ditor, nuk ka hospitalizime të gjata. Pacientja pushon një kohë dhe shkon në shpi” – tha ai.
Pjesë e aparaturave është edhe sistemi i softuerit, ku siç thotë Bejtullahu shënohen në mënyrë digjitale nëna, babai dhe embrioni, në mënyrë që të mos ngatërrohen me pacientët e tjerë.
Por, kjo procedurë mjekësore, e cila u jep shpresë çifteve që nuk kanë arritur të kenë fëmijë në mënyrë natyrale, nuk është gjithmonë e suksesshme.
“Shkalla e suksesit është në krejt botën 60-70 për qind, varësisht sa janë të avancuara laboratorët e spitalet. Por nuk është e garantuar që si t’i nënshtrohet procedurës gjithçka do të ketë sukses” – shpjegoi gjinekologu.
Sukses konsiderohet kur arrihet që përmes fertilizimit të asistuar mjekësor të lindë fëmija, e jo vetëm nëse arrihet shtatzënia, thotë ai.
Paratë për këto aparatura u ndanë në mars të vitit 2023, kur ministri Arben Vitia e presidentja Vjosa Osmani patën vizituar Klinikën e Gjinekologjisë dhe patën bërë të ditur ndarjen e 1.5 milion eurove.
Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, pati thënë qysh atëherë se infrastruktura veçse është e gatshme.
Si ndikon mungesa e Ligjit për fertilizim të asistuar mjekësor?
Mungesa e Ligjit për feritilizm të asistuar nuk e parandalon ofrimin e këtij shërbimi në sektorin publik, sipas ministrit Vitia.
Ky shërbim është ofruar ndër vite nëpër institucionet private që janë licencuar prej Ministrisë së Shëndetësisë në bazë të udhëzimit administrativ për frytnimin e asistuar mjekësor.
Por udhëzimi nuk parasheh masa sanksionuese. Prandaj, Vitia thotë se kalimi i Ligjit është i rëndësishëm më shumë për sektorin privat, sepse “sektori publik ka më shumë monitorim”.
Projektligji për shëndet riprodhues dhe feritilizim të asistuar mjekësor nuk ka arritur të miratohet në Kuvend ndonëse është hedhur disa herë në votim që nga tetori i vitit 2023.
Ky shërbim është ofruar ndër vite edhe nëpër institucionet private që janë licencuar prej Ministrisë në bazë të udhëzimit administrativ për frytnimin e asistuar mjekësor.
“Ka qenë një tendencë në vitin 2018-2019 kur është bërë me Inspektoratin mbyllja e plot klinikave që e kanë realizuar fertilizimin e asistuar mjekësor dhe përkundër telasheve e problemeve që kanë gjetur në disa nga këto klinika, asgjë nuk mund të ndërmarrin sepse s’ka kufizime ligjore” – tha Vitia gjatë raportimit të tij në Komisionin parlamentar për Shëndetësi më 04.10.2024.
“Ne po dojmë ta vëmë këtë proces në binarë. A e parandalon mungesa e Ligjit që të bëhet edhe në publik? Nuk e parandalon. Por nuk e kam hallin unë në pjesën publike ku monitorimi nga shteti është më i madh” – shtoi ministri.
E pa vënë rregull përmes ligjit, ai thotë se ky proces do të vazhdojë të jetë problematik sepse për spitalet private është profitabil.
“Me ligjin kjo vihet në binarë dhe bashkë me mekanzimat sanksionues që i parasheh vetëm ligji, nuk mundet me i parapa udhëzimi administrativ. Mendoj që njëherë e mirë e kishim vendosë një rregull të jashtëzakonshëm që duke u dhënë mundësinë familjeve që për momentin nuk mund të kenë fëmijë, të bëjnë këtë me monitorim më të mirë, me cilësi më të lartë” – tha kreu i shëndetësisë.
Ky Projektligj ka ngjallur debat në Kuvend e në opinion publik, për shkak të dispozitave të cilat parashohin që e drejta e shfrytëzimit të fertilizimit të asistuar e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18-vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore.
Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 1 në 6 persona përjetojnë infertilitet.