Ferronikeli ndal prodhimin për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike

Kompania NeWCo Ferronikeli përmes një komunikate ka njoftuar se është detyruar që përkohësisht të ndërpresë punën si shkak i ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Sipas tyre, çmimi i energjisë është katërfishuar.

“Për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane, kompania NewCo Ferronikeli L.L.C detyrohet të ndërpresë përkohësisht prodhimin. Katërfishimi i çmimit të energjisë ka çuar në marrjen e këtij vendimi që do të zgjasë deri në një moment të dytë kur çmimet të normalizohen”, thuhet në njoftim.

Tutje në komunikatë potencohet se, vendimi për ndërprerje të prodhimit ka qenë opsioni i vetëm, edhe pas disa muajve të kërkimit të ndihmës nga qeveria.

Sipas tyre, për disa muaj kjo kompani ka operuar me humbje në pritje të përmirësimit të situatës.

“Duke qenë e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme për impaktin shumëdimensional që e ka në sektorin e punësimit, prodhimit dhe eksportit, NewCo Ferronikeli për muaj me radhë ka operuar me humbje me shpresën që situata do të përmirësohet”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas tyre, ndërprerja e prodhimit u bë edhe me e pashmangshme pas rritjes së çmimit të energjisë në Evropë.

Ferronkeli është konsumator i madh i energjisë dhe rrjedhimisht obligohet që rrymën me ble në tregun e lirë. Meqë, Ferronkeli nuk është konsumator i rregulluar bën që kjo ndërmarrje të afektohet direkt nga rritja e çmimit të energjisë në rajon e Evropë.

Konsumatorët që janë të rregulluar në Kosovë nuk do të kenë shtrenjtim të energjisë elektrike gjatë këtij vitit

Pavarësisht kësaj ndërprerjeje të përkohshme të prodhimit, NewCo Ferronikeli L.L.C thekson se do të paguajë në muajin në vijim të gjithë punonjësit që do të jenë me pushim të detyrueshëm me 50% të pagës së tyre mujore.

Tutje thuhet se të gjithë punëtorët do të kthehen në punë me stabilizimin e situatës dhe normalizimin e çmimit të energjisë elektrike.

Gjithashtu, ndërmarrja i garanton të gjithë furnitorët dhe partnerët se kjo ndërprerje nuk do të bëhet shkas për të lënë pezull detyrimet ndaj tyre. Të gjitha detyrimet e kontraktuara financiare do të zbatohen me rigorozitet të plotë nga ana e kompanisë.

Në komunikatën për media tutje bëhet e ditur se, kriza aktuale e energjisë elektrike është një prej më të mëdhave në histori dhe ka goditur të parën dhe më së rëndi industrinë e metalurgjisë së rëndë, ku bën pjesë edhe NewCo Ferronikeli L.L.C.

Kriza e çmimit ka nisur në janarin e këtij viti, duke e katërfishuar çmimin e energjisë në Evropë.

Sipas tyre, Drejtuesit e NewCo Ferronikeli L.L.C, në kërkim të zgjidhjes, i janë drejtuar me shkresa informacionesh mbi krizën e energjisë edhe Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe ministrave të dikastereve përkatës, për ndihmë në tejkalimin e kësaj situate të jashtëzakonshme.

Ndërmarrja ka kërkuar ndërhyrjen e Qeverisë për të shmangur ndaljen e prodhimit dhe që të mos mbesin pa vende pune mijëra punëtorë.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.