Ilustrim, Foto: KALLXO.com

Fermerët që shkaktojnë zjarrvënie do të përjashtohen nga grantet dhe subvencionet

Fermerët që shkaktojnë zjarrëvenie të qëllimshme në parcelat e punueshme do të përjashtohen nga programet e granteve dhe subvencioneve për tre vitet e ardhshme.

Kështu tha Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në një konferencë për media, më 14.08.2024.

Në këto ditë që Kosova po përballet me zjarre, Peci u shpreh se djegia e hamulloreve është e dëmshme, e kundërligjshme dhe e dënueshme, pasi që varfëron tokën dhe shkakton dëme të pakthyeshme.

“Jemi në koordinim me ministrinë përkatëse dhe me inspektorët e mjedisit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme”- ka thënë Peci.

Peci tha se në shumë raste po rrezikohen edhe pronat afër zjarreve.

“Personat e papërgjegjshëm po ndezin hamulloret duke menduar gabimisht që kjo lehtëson punën në bujqësi, por është pikërisht e kundërta sepse kjo dukuri shkakton mikroorganizma dhe materiale ushqyese të dobishme në aspektin e prodhimit bujqësor”- tha Peci.

Në këtë konferencë, Peci po ashtu tha se kanë informacion që helikopterët e KFOR-it kanë filluar aktivitetin për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në Prevallë.

“Ne kemi informacione që helikopterë të KFOR-it tashmë kanë filluar aktivitetin dhe ofrimin e ndihmën institucioneve të Koosvës në aspektin e parandalimit dhe shuarjes së zjarrit” – u përgjgij Peci në pyetjen e gazetares së KALLXO.com se cila ka qenë përgjigjja e KFOR-it ndaj kërkesës së institucioneve për ndihmë në shuarjen e zjarreve.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës nisi me thirrje nga kryeministri i Kosovës që mos të shkaktohen zjarre që po sjellin tragjedi në këto ditë të nxehta.

Kurti i dërgoi ngushëllime familjes së zjarrfikësit Sefadin Osmanaj i cili humbi jetën në vendin e tij të punës gjatë fikjes së zjarrit në fshatin Kurshevë të Vogël të Klinës.

“Vendi ynë tashmë e ka përjetuar një humbje të dhimbshme javën që lamë pas. Zjarrfikësi Sefadin Osmanaj humbi jetën në krye të detyrës. Ngushëllimet tona për familjen Osmanaj janë apeli ynë më i zëshëm kundër zjarrvënieve dhe për bashkëpunimin me institucionet e vendit në identifikimin e hershëm dhe reagimin e menjëhershëm në rast të zjarrit”- tha Kurti.