Fermerët mbetën pa subvencione, institucionet fajësojnë njëra-tjetrën

Disa fermerë ferizajas kanë mbetur pa subvencionet e ndara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Kjo pasi ata nuk arritën të aplikojnë për subvencione.

Ministria e Bujqësisë më 26 prill të këtij viti kishte hapur periudhën e aplikimit për pagesa direkte, pra subvencione në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2022.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësje e kësaj Ministrie, Albulena Maloku-Ahmeti, ka treguar se ky afat kohor me kërkesë të 11 drejtorive komunale për Bujqësi, ishte shtyrë deri më 1 qershor të këtij viti në gjithë territorin e Kosovës.

Mirëpo, Komunës së Ferizajt, e cila ua kishte mundësuar fermerëve të aplikojnë me termin, prapë nuk i mjaftoi një afat i tillë.

Drejtori i Bujqësisë në këtë Komunë, Burim Bajrami, në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se ka bërë tri herë kërkesë zyrtare në Ministrinë e Bujqësisë që afati kohor për aplikim të shtyhet për 10 ditë punë dhe jo vetëm për pesë sa i ka shtyrë Ministria.

“Me të parë këtë fluks të madh brenda zyrave të Drejtorisë së Bujqësisë kam bërë kërkesë në Ministrinë e Bujqësisë më 23 maj që i njëjti afat të shtyhet pasi ka qenë i planifikuar dhe i rregulluar me udhëzim administrativ që ky aplikim të zgjatë 30 ditë, unë kam kërku qysh më 23 maj që ky afat të shtyhet për të paktën edhe 10 ditë punë, mirëpo nuk kam marrë përgjigje prej Ministrisë së Bujqësisë dhe afati është shtyrë për pesë ditë pa u konsultuar fare”, ka thënë Bajrami për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Ministria fajtore për mosmenaxhim të situatës e lë prapë Komunën.

“Në këtë rast përgjegjësia e neglizhencës për mosmenaxhim të situatës me aplikim në Programin e Pagesave Direkte i bie tërësisht Komunës në fjalë”, ka thënë Maloku.

Fermeri ferizajas, Esat Uka në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se janë mbi 300 fermerë që kanë mbetur jashtë skemës së mundësisë për aplikim për subvencione.

Ai këtë e ka cilësuar si një padrejtësi.

“Sot jemi këtu për me e shprehë revoltën tonë për pamundësinë dhe padrejtësinë që na u ka bo që faktikisht më shumë se 300 fermer të komunës së Ferizajt kemi mbetur jashtë skemës së mundësisë për aplikim për subvencione, konkretisht për pagesa direkte nga Ministria e Bujqësisë”, ka thënë Uka.

Edhe fermeri tjetër, Asllan Maloku, është shprehur i pakënaqur nga e gjithë kjo ndodhi.

Madje ai ka thënë se nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje do të ndalin në protesta të tjera.

“Ne do të mundohemi ta gjejmë një kompromis, ta bëjmë një ankesë të cilën duhet të përfillet që Komuna e Ferizajt të komunikojë me Ministrinë e Bujqësisë dhe të shndërrojë lëndën e këtyre fermerëve që të mos lihen anash por të na jepet mundësia që të aplikojmë. Përndryshe nëse nuk gjejmë një marrëveshje do dalim në protestë më ndryshe”, tha Maloku.