Fermerët kërkojnë kriteret e vjetra për subvencionim të grurit

Mbi 200 fermerë kanë parkuar traktorët dhe janë mbledhur para Ministrisë së Bujqësisë duke protestuar e kundërshtuar kriteret e reja për subvencionim të kulturës së grurit.

Ata thanë se me kriteret reja, shumica e bujqve do mbesin pa përfituar nga subvencionet.

Tahiri Tahri nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës, ka thënë se pas thirrjes për subvencione për vitet 2020/21, gjendja e bujqve është rënduar për shkak të kritereve të ashpra.

Ai ka thënë se me kriteret e reja, nuk do mund të përfitojnë mbi 80 për qind e bujqve.

“Pas hapjes së thirrjes për subvencione nga programi 2020/21, gjendja e bujqve është rënduar edhe më shumë si shkak i kritereve të reja që janë më të ashpra se sa më parë. Si pasojë e këtyre kritereve, një numër i madh i bujqve nuk do mund t’i plotësojnë ato dhe rrjedhimisht nuk do përfitojnë asgjë për kulturat e tyre”, ka thënë Tahiri.

Ai kërkoi nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, që të kthejë në funksionim kriteret e vjetra për aplikim edhe gjatë këtij viti dhe me ato të rejat të nisin viteve të ardhshme pas konsultimit me ta.

“Kërkesa jonë është që menjëherë të anulohet vendimi për aplikim me kritere të reja dhe të kthehen kriteret e vjetra vetëm për vitin prodhues 2020/21, kurse me kritere të reja të niset qysh nga viti i ardhshëm dhe atë në marrëveshje me bujqit”, shtoi Tahiri.

Ai potencoi për kriteret e reja as që kanë marr ndonjë paralajmërim.

“Nuk kemi pasur paralajmërim se do merren masa dhe kritere të tilla, gati 80 për qind e bujqve do mbesin pa subvencionim sipas kritereve të reja”, shtoi ai.

Protesta e fermerëve pas rreth 30 minutave dhe fjalës së kryetarit të Federatës Sindikale, u mbyll duke tërhequr traktorët nga hapësira para Ministrisë së Bujqësisë, të cilët i kishin parkuar në njërin korsi të rrugës, për të mos bllokuar në tërësi qarkullimin e automjeteve.

Nga Federata e Bujqve, theksuan se nëse nuk merren parasysh këto kërkesa do pasojë protesta e radhës e cila do jetë shumë më radikale.