Foto: Komuna e Kamenicës

Fermerët e Kamenicës ndihmohen nga Caritas dhe Komuna

Në kohën e mbjelljeve pranverore, Komuna e Kamenicës së bashku me Caritasin Zviceran u kanë dalë në ndihmë fermerëve të cilët përkundër pandemisë së COVID-19, duhet t’i kryejnë të mbjellat pasi ato nuk presin.

Ndihma e Komunës dhe Caritasit Zviceran është ofrimi i pajisjeve si shtylla betoni, sisteme të ujitjes, rrjetë ujitjes, rrjeta metalike, gajbe plastike për mjedër, spërkatëse dhe kabinet metalik për vendosjen e pesticideve.

Kryetari Qëndron Kastrati ka thënë se të gjithë duhet të angazhohen për mbështetjen e secilit fermer, pasi që Kamenica ka hapësira gjeografike që ofrojnë kushte të volitshme për zhvillimin e bujqësisë.

“Në Desivojcë, u ndihmuam fermerëve në rritjen e kapaciteteve bujqësore. Në një qytet si Kamenica, ku hapësira gjeografike ofron kushte të volitshme për zhvillimin e bujqësisë, duhet të angazhohemi në mbështetjen e secilit fermer nga të gjitha sektoret. Drejtoria e Bujqësisë në krye me drejtorin Naim Arifin, janë në dispozicion të plotë që të ju asistojnë, këshillojnë e udhëzojnë në çështjet që ju interesojnë. Falënderoj Caritasin Zviceran, për mbështetjen e vazhdueshme në sektorin e bujqësisë”, ka thënë Kastrati, njofton Komuna e Kamenices.

Ndërsa Drejtori i DBPZHR-së Naim Arifi ka thënë se drejtoria të cilën e drejton ai dhe Komuna e Kamenicës janë duke u munduar maksimalisht që të ndihmojnë fermerët nga secili sektor gjatë kësaj kohe të pandemisë.

“Po angazhohemi maksimalisht që fermerëve nga secili sektor, të ju ndihmojmë në rritjen e kapaciteteve për kultivimin e prodhimit bujqësorë edhe në kohë pandemie. Bashkë me Kryetarin Kastrati dhe përfaqësues të Caritasit Zviceran, sot kemi bërë shpërndarjen e shtyllave të betonit, rrjetës metalike, sistemin e ujitjes, rezervuar të ujit, gajbe plastike për mjedër, spërkatëse, kabinetin metalik për vendosjen e pesticideve”, citohet të ketë thënë Arifi.