Foto:Ministria e Bujqësisë

Fermerët ankohen për vonesa të subvencioneve

Fermerët kosovarë të cilët kanë përfituar subvencione nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ende nuk i kanë pranuar mjetet nga kjo e fundit.

Njëri nga përfituesit në listën e subvencioneve ka raportuar në KALLXO.com për vonesat me pagesat nga Ministria e Bunjqësisë.

Ndërkaq, në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila funksionon në kuadër të MBPZHR-së thonë se për rreth 6 mijë fermerë pagesa nuk është procesuar për shkak kontrolleve në terren.

Divizioni për Informim në Ministrin e Bujqësisë, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se të gjitha këto pagesa do të procedohen deri në fund të muajit nëntor.

“Deri më tani janë dërguar për pagesë mbi 20 milionë euro dhe aktualisht kemi edhe rreth 6,000 fermerë për të cilët nuk është procesuar pagesa, për arsye se janë duke u realizuar kontrollat në terren dhe besojmë që deri në fund të nëntorit të gjitha këto do procedohen për pagesë, ndërsa buxheti i nevojshëm për realizimin e këtyre pagesave është rreth 6 milionë euro”, thuhet në përgjigjen elektronike të tyre.

Sa i përket, listës së dytë, në vlerë prej 5.9 milionë euro, ata thonë se është përcjellë javë më parë nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë në MBPZHR tashmë është në procedurë të ekzekutimit.

Pjesë e kësaj liste janë 2,948 përfitues për pagesa direkte në Blegtori me shumën 2,590,059.00 dhe 4,376 përfitues në atë Sipërfaqe me shumën totale 3,293,404.78 euro.