Ferizaji nis rregullimin e trotuarit, planifikon mbjelljen e drunjve dekorativë

Komuna e Ferizajt ka nisur zbatimin e  projektit për rregullimin  e trotuarit me gjatësi afro 1 kilometër, ku pas rregullimit do të mbillen edhe drunjtë dekorativë.

Në kohën kur qyteti është i zbrazët për shkak të masave mbrojtëse nga pandemia COVID-19, ekipet e Ferizajt kanë dalur në terren për të punuar në këtë trotuar.

Punimet po kryhen në trotuarin përskaj rrugës “Dëshmorët e Kombit” nga Teatri “Adriana” e deri tek Kisha Ortodokse e Xhamia e Madhe i cili ishte i dëmtuar.

“ Infrastruktura e Ferizajt po ndryshon e bashkë me të qytetarëve po i ofrohen kushte më të përshtatshme lëvizjeje e afarizmi, që në rastin konkret, rregullimi i këtij trotuari sipas standardeve më të larta, rivitalizon këtë zonë si për biznesin ashtu edhe për lëvizjen pa pengesa të qytetarëve.”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna e Ferizajt vlerëson se pasi që është kufizuar qarkullimi i qytetarëve  si dhe moszhvillimi i punës së biznesve për arsye të virusit COVID-19, bën që kjo periudhë të shfrytëzohet për realizimin e këtij projekti.