Ferizajasit me protestë detyrojnë kompaninë të heq mbeturinat kundërmuese (VIDEO)

Rreth dhjetë minuta larg qendrës së qytetit të Ferizajt, ndodhet prona e Bajrumshahe Mahmutit, për të cilën hapja e dritareve në shtëpinë e saj, bën që ambienti të bëhet i padurueshëm, për shkak të deponisë së mbeturinave e vendosura në oborrin e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastërtia”, që ndodhet fare pranë shtëpisë së Mahumutit.

Banorët që kanë prona afër kësaj kompanie, kanë protestuar, duke kërkuar largimin e mbeturinave nga ajo hapësirë.

“Krejt këtë erë të mbeturinave, e kemi në organizëm na. A është smuj pandemia, ju duhet me marr këtë parasysh. Kjo nuk lejohet këtu, kjo duhet me kanë krejt diku larg që mos me pas banorë, vetëm në Kosovë janë duke e ba këtë”, ka thënë ajo.

Pas interesimit të KALLXO.com dhe në prezencë të ekipit, banorët janë ftuar për diskutim nga zëvendëskryeshefi i KRM “Pastërtia” dhe mbeturinat kanë filluar të largohen nga oborri i saj.

Ndërsa, Rexhep Jashari tregon se çfarë është diskutuar në takim dhe paralajmëron se do të marrin masa më të ashpra nëse nuk ofrohet zgjidhje nga “Pastërtia”.

“Biseduam dhe erdhëm në përfundim që kjo deponi të largohet brenda 24 orëve sipas premtimeve të tyre. Në qoftë se përsëritet, do të ketë protesta edhe të dhunshme, dhe s’do të mund të kalojë asnjë kamion këtu”, ka thënë Jashari.

Në anën tjetër, Gazmend Ismajli, zëvendësshef i kompanisë në KRM “Pastërtia” u ka kërkuar falje banorëve për gjendjen e krijuar dhe ka bërë të ditur se mbeturinat do të largohen brenda 24 orëve.

“Pikë transferin e kemi në Gërlicë, por sipas punëtorëve është stërngarkuar edhe Gërlica që nuk janë duke pas mundësi edhe ata me largu prej aty dhe po na udhëzojnë neve me shku në Mirash, Obiliq ose në Gjilan, ku po na merr kohë, shpenzim, nuk është ku me ditë sa çështja e shpenzimit sa është çështja  e kohës”, është shprehur Ismajli.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.