Ferizajasi sfidon kandidatët për deputet 'pse nuk duhet t`iu besohet kur flisni për zhvillimin ekonomik?' VIDEO

Një qytetar nga Ferizaj, gjatë një debati zgjedhor që po zhvillohej në këtë komunë, pyeti kandidatët për deputetë se pse duhet të iu besohet kur ata flasin për zhvillimin ekonomik.

Qytetari me emrin Egzon Musliu tha se zhvillimi ekonomik nuk është diçka e re dhe pse planet që i kanë – nuk i kanë përfunduar më herët.

“Pyetja ime drejtohet për kandidatët prej partive që kanë qenë në pushtet deri më tash, PDK-së, AAK-së dhe Nismës. Te puna e zhvillimit ekonomik nuk është diçka e re, edhe pasi ju keni qenë në pushtet deri tash, pse këto plane që po i përmendni nuk i keni bërë më herët, pse po mendoni që keni me i bo tash dhe pse me iu besu ne juve që keni me i kry tash?”, pyeti qytetari.

Xhavit Zariqi nga koalicioni AAK-PSD iu përgjigj duke thënë se Kosova brenda vitit të fundit ka pasur rritje ekonomike, përkundër probleme që kishte qeveria.

“Përkundër probleme shumë të mëdha që qeveria ka pasur rreth çështjes së taksës, rreth kufijve, rreth ushtrisë e të cilat i ka realizuar si qeveri dhe nuk e ka harru zhvillimin ekonomik që ka pasur ngritje 6%. Unë e kuptoj që 6% nuk është e mjaftueshmë në një shtet siç është Kosova me 10 vjet pavarësi. Por në shtetet më normale demokratike rritja ekonomike është 4 deri 5%”, u përgjigj Zariqi i AAK-së.

Kurse Besnik Berisha i NISMA-s u arsyetua se qeveria ka mbetur në gjysmë dhe për këtë arsye nuk kanë mundur t’i përfundonjë punët.

“Kemi mbetur në gjysmë me qeveri, domethënë nuk jemi shkuar deri në fund. 2 vjet kemi punuar sa kemi pasur mundësi, kështu që po të ishte mandati i plotë do të arriheshin rezultate më të mira për vendin”, u përgjigj Berisha.

Ndërsa Gazmend Bytyqi nga PDK tha se duhet të kuptohen proceset, sepse zgjasin. Ai tha ata dëshirojnë që gjithçka të kryhet sa më shpejtë.

“Kisha dashur që edhe lufta të ishte kryer më herët, shumë prej proceseve të ishin kryer më herët. Kosova ka pasur probleme të ndryshme që nga paslufta, me krijimin e sistemeve me gjithë këto gjërat tjera. Prandaj, tash jemi në fazën ku vërtetë mund t`i marrim këto vendime që janë të rëndësisëhme, por kush mund t’i merr këto vendime. Unë të siguroj që mundet me i marrë PDK-ja dhe Kadri Veseli. E bëjnë njerëzit e guximshëm, njerëzit e sinqertë dhe e dijnë saktë se ku do ta dërgojnë këtë vend”, deklaroi Bytyqi.

Pyetjen e qytetarit mund ta shihni nga minuta 44:35.

Debat publik me kandidatët për deputetë#Kosovaqeduam

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 20 septembre 2019