Ferizaj, vendoset platformë me fole të lejlekut

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës në bashkëpunim me Kompaninë për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) kanë bërë vendosjen e platformës së lejlekut në shtyllën elektrike, në fshatin Lloshkobare të komunës së Ferizajt.

Sipas një njoftimi të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, vendosja e platformës është bërë në afërsi të trungut të thatë ku lejleku ka folenizuar me vite të tëra.

Në njoftim potencohet se vendosja e kësaj foleje është bërë me udhëzimdhe rekomandim të IKMN-së.

“Ky aktivitet është vazhdimësi e aktiviteteve të mëhershme për vendosjen se platformave me fole të lejlekëve në disa shtylla elektrike në disa lokalitete të ndryshme të Kosovës. Përndryshe vendosja e kësaj platforme folenizuese, të përgatitura nga ana e KEDS-it, me udhëzim dhe rekomandim të IKMN-së, është praktike në shumë vende evropiane por edhe nga rajoni”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, njëri prej qëllimeve për këtë veprim është krijimi i kushteve dhe mbrojtja e llojit të rrallë të faunës.

“Njëri prej qëllimeve të këtij aktiviteti, përveç krijimit të kushteve për mbrojtjen e këtij lloji të rrallë të faunës sonë është gjithsesi edhe promovimi i një shembulli pozitiv për të mbrojtur lejlekun bardhë dhe habitatin e tij”, thuhet tutje në njoftim.