Ferizaj, vendosen 1641 këpucë për personat e pagjetur

Të rinjtë e Komunës së Ferizajt kanë vendosur 1641 këpucë në qendër të qytetit si simbolikë për personat e pagjetur në luftën e fundit në Kosovë.

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Shabani, në Komunën e Ferizajt ka thënë se këto këpucë simbolizojnë pritjet e gjata për personat e zhdukur.

“Simbolika është që këto këpucë t’i presin me shpresë të zhdukurit që të kthehen”, ka thënë ajo.

Ky organizim është bërë nga puna vullnetare e të rinjve e cila ishte menduar të zhvillohej më herët, por për shkak të pandemisë është duke u mbajtur sot.

“Këtë e kanë organizuar vullnetarët e sektorit të rinisë, ka qenë ide e tyre, ka qenë e planifikume me u mbajt në muajin prill në datën e të zhdukurve, për shkak të pandemisë e kemi zhvendosë, u dasht me zhvendos në një datë tjetër gjë që u vendos me u mbajt sot”, ka thënë Shabani.