Asfaltimi i rrugës në fshatin Tërrn FOTO:Komuna e Ferizajt 19.12.2020

Ferizaj, rruga që ishte planifikuar të përfundojë për 4 muaj përfundoi pas më shumë se dy viteve

Një rrugë në Ferizaj që është dashur të përfundojë për 4 muaj, është përfunduar tek pas më shumë se dy viteve.

Ndërtimi i rrugës Prelez i Muhaxherëve – Papaz – Sazli – Prelez i Jerlive, me gjatësi 5.4 kilometra dhe me gjerësi 6 metra, kishte përfunduar pas 873 ditëve kalendarike derisa me kontratë ishte përcaktuar që ndërtimi të përfundojë për 120 ditë pune.

Kjo është një nga gjetjet e Auditorit nga raporti “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale”.

Sipas auditorit, punimet kishin filluar në javën e dytë dhjetorit të vitit 2017 dhe kishin zgjatur vetëm 5 ditë kur edhe ishin ndërprerë për shkak të sezonit dimëror, për të rinisur në javën e parë të prillit të vitit 2018.

“Punimet kishin vazhduar (me ndërprerje të kohëpaskohshme) deri në mes të dhjetorit të vitit 2018 kur edhe ishin ndërprerë për herë të dytë për shkak të sezonit dimëror të radhës për të vazhduar në mars të vitit 2019 dhe atë deri kah fundi i korrikut të vitit 2019”, thuhet më tej.

Punimet në këtë projekt kishin përfunduar pas më shumë se dy viteve, ndërsa ditë efektive të punës ishin 114, që do të thotë se koha e paraparë me kontratë prej 120 ditëve për zbatimin e këtij projekti ishte e mjaftueshme, por këto 114 ditë ishin shpërndarë përgjatë 3 viteve, që sipas ZKA-së nuk është kohë e arsyeshme për një projekt me gjatësi prej 5.4 kilometrave.

Auditori ka theksuar se faktor kyç për stërzgjatje të punimeve ishte mënyra e buxhetimit, dhe për pasojë punimet ishin zhvilluar me ritëm të ngadaltë dhe me ndërprerje të shpeshtë përgjatë viteve 2017 dhe 2018.

“Efekti i kësaj është se për ndërtimin e kësaj rruge, me vetëm 5.4 kilometra gjatësi, qytetarët është dashur të presin rreth tri vite për ta shfrytëzuar atë”, ka thënë në fund auditori.