Nënkalimi në Ferizaj, FOTO- KALLXO.com

Ferizaj, qytetarët shmangin nënkalimin pa mirëmbajtje, ecin mbi hekurudhë

40 mijë euro investim i Komunës së Ferizajt për një nënkalim për këmbësorë shkuan huq. Kjo për shkak se nënkalimi nuk po shërben funksionin për të cilin ishte planifikuar.

Përveç se i mbushur me mbeturina dhe me kundërmim, qytetarët thonë se janë të shqetësuar me mënyrën se si po shfrytëzohet nënkalimi.

Në vitin 2011 komuna e Ferizajt pati nënshkruar kontratë me kompaninë “Arianiti” për ndërtimin e nënkalimit në rrugën “Besim Rexhepi” në Ferizaj.

Ky nënkalim në Ferizaj i kushtoi buxhetit të Komunës 40,270.00 euro dhe tani ka mbetur vetëm një vend i pashfrytëzuar. Sipas qytetarëve të Ferizajt ky nënkalim është i shfrytëzuar vetëm nga përdoruesit e drogave dhe jo për kalimin e e hekurudhës.

Nënkalimi në Ferizaj,
FOTO- KALLXO.com

Papastërtia dhe dyshimi se aty ka persona që përdorin substanca narkotike ka shtyrë qytetarët të mos e përdorin këtë nënkalim, mënyra e vetme për banorët të kalojnë në pjesën tjetër të rrugës është ecja mbi hekurudhë, kështu duke u rrezikuar jeta secilit prej tyre.

“Era vjen shumë e keqe, edhe ka që rrinë narkomanë, kështu që ma mirë o me kalu ktej, detyrohemi me kalu mbi hekurudhë”, u shpreh një kalimtar për Kallxo.com.

Në atë pjesë të qytetit janë tri shkolla, shkolla e mesme e ulët “Tefik Çanga”, shkolla e muzikës Çesk Zadeja, si dhe shkolla e Teknikës, ku shumica e nxënësve kalojnë në atë pjesë çdo ditë.

I shqetësuar për këtë është shprehur drejtori i shkollës “Tefik Çanga”, Basri Hasani.

Ai thotë se këtë shqetësim e kanë ngritur edhe me këshillin e prindërve, por nuk kanë bërë kërkesë direkte në komuna.

“Ne nuk kemi bërë një kërkesë oficiere, në forume të ndryshme e kemi diskutuar këtë problem edhe në mbledhjen e këshillit të prindërve e kemi biseduar. Është shqetsim për neve si shkollë se këtu është edhe shkolla teknike është edhe shkolla e muzikës predispozitat janë më të mëdha për moshat që kemi ne në shkollë, do të thotë rreziku është permanent”, tha Hasani për Kallxo.com

Mirëpo, komuna thotë se qëllimi i këtij nënkalimi ka qenë shmangia e rrezikut dhe se me infrastrukturën e re kjo sfidë do të tejkalohet.

“Natyrisht se qëllimi i këtij investimi ka qenë shmangia e rrezikshmërisë së kalimit përskaj hekurudhës, porse me zgjidhjet e reja infrastrukturore edhe kjo sfidë do të tejkalohet. Për kalimin e deritanishëm janë përdorur alternativa të tjera që minimizojnë rreziqet e kalimit mbi apo përskaj hekurudhës”, deklaroi Albion Sherifi zëdhënës për marrëdhënie me publikun.

Tutje Sherifi thotë se zgjidhja për këtë nënkalim do të bëhet me projektin “Bashkimi i Qytetit”, i cili do të lidhë nënkalimin me pjesët tjera kyçe të qytetit, ku do të bëhet nënkalim për këmbësorë dhe automjete, kështu duke lidhur dy anët e rrugës.

“Projekti “Bashkimi i Qytetit” që tashmë po ndodh në disa pika kyçe të qendrës së qytetit, ka paraparë zgjidhje infrastrukturore afatgjate edhe për këtë pjesë, duke ndërtuar nënkalimin për automjete dhe këmbësorë që lidh dy anët e rrugëve afër ‘Plus Market’, ndryshe nga nënkalimi ekzistues ku është mundësia e kalimit vetëm për këmbësorët. Tashmë është nënshkruar kontrata për fillimin e punimeve në këtë projekt dhe se gjatë vitit të ardhshëm presim që të përfundohet dhe funksionalizohet plotësisht kjo nyje e rëndësishme e komunikimit ndërmjet lagjeve e zonave të qytetit, për të shmangur përfundimisht rreziqet eventuale nga hekurudha dhe kaosin urban”, pohoi ai

Në vitin 2018 komuna e Ferizajt ka nënshkruar kontratën për projektin “Bashkimi i Qytetit”, dhe pritet të përfundoj në vitin tjetër.