Ferizaj – Policia shpalos aplikacionin digjital “Lajmëro Policinë”

Drejtoria Rajonale e Policisë (DRP) në Ferizaj ka shpalosur një aplikacion digjital “Lajmëro Policinë”, aplikacion ky që u mundëson qytetarëve t’i raportojnë rastet.

“Shpjegimet dhe udhëzimet më të hollësishme lidhur me këtë aplikacion po bëhen sot edhe nëpër fshatra të Ferizajt , në prani edhe të mediave lokale të Ferizajt”, njofton DRP – Ferizaj.

Sipas Policisë, ky aplikacion digjital përmes fletushkave është shpërndarë edhe në qytete të rajonit si në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit.

Policia rajonale njofton se nga dita e sotme ky aktivitet ka filluar edhe nëpër fshatra duke biseduar me qytetarë nga afër.

“Qytetarëve po u shpjegohet se, përmes kësaj platforme elektronike, iu mundësohet t’i raportojnë të gjitha rastet kriminale në Policinë e Kosovës , duke ndjekur disa hapa për përdorimin e këtij aplikacioni, si një alternativë e re, e pakufizuar në kohë, mundësi dhe territor”, thuhet në njoftim.

Përmes këtij aplikacioni, siç njofton Policia, qytetarët vetëm brenda pak sekondash mund të informojnë Policinë.

“Kësisoj, qytetarët nëpër këto zona u njoftuan edhe për dhunën në familje, se dhuna në familje mund të ketë ndikim fizik dhe emocional, se ajo mund të ndikon edhe tek fëmijët, pastaj qytetarët u njoftuan se kujt duhet drejtuar nëse shihni dhunë në familje”, thuhet ndër të tjera.

Ndryshe, DRP fton qytetarët që pa hezitim të njoftojnë Policinë në stacionin më të afërt apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.