Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

Ferizaj, Policia gjobit shoferin që tejkaloi shpejtësinë me automjetin e udhëtarëve

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor të Ferizajt, ka gjobitur një shofer i cili ngiste automjetin e udhëtarëve duke bërë tejkalim të shpejtësisë.

Sipas Policisë, në zonën e kufizimit 50 kilometra në orë, shoferi zhvilloi shpejtësi prej 94 kilometra në orë.

“Kanë vazhduar aktivitetet e policisë nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor të Ferizajt, ku dje kanë ndaluar shoferin i cili me automjetin e udhëtarëve shkaktoi kundërvajtje në komunikacion, tejkalim i shpejtësisë në rrugën ‘Driton Islami’ në Ferizaj, ku në zonën e kufizimit 50 km/h zhvilloi shpejtësi 94  km/h”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Policia e Kosovës.

Policia ka njoftuar se shoferit me inicialet A.RR i moshës 20 vjeçar i është shqiptuar gjobë sipas Ligjit të komunikacionit rrugor 300 euro, 3 pikë negative dhe 6 muaj masë mbrojtëse heqje e patentë shoferit.

“Ai në tërësi e pranoi kundërvajtjen e shkaktuar”, thuhet në komunikatë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka apeluar tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë e kufizuar të lëvizjes.

“Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e pjesëmarrësve në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në komunikatën e Policisë duke siguruar qytetarët se të dhënat e tyre do të ruhen në konfidencialitet të plotë.