Foto: KALLXO.com Ilustrim

Ferizaj, policët sulmohen gjatë detyrës, Gjykata vendosi për të dyshuarin

Dy policë kanë pësuar lëndime trupore pasi janë sulmuar derisa ishin në krye të detyrës.

Ngjarja ka ndodhur më 2 gusht.

Lidhur me këtë rast është ndaluar i dyshuari A.S., ndaj të cilit Gjykata e Ferizajt të mërkurën ka caktuar masën e paraburgimit.

Sipas njoftimit të Gjykatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Shabi Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri më 02.08.2021, në Ferizaj ka sulmuar personat zyrtarë – policët gjatë kryerje së detyrës zyrtare, duke u shkaktuar lëndime trupore.

Sipas njoftimit, të dëmtuarit – policët B.V. dhe A.R.,  të cilët kishin qenë të angazhuar në planin operativ “Anti-Covid” dhe derisa ishin duke i larguar klientët nga një lokal, i  pandehuri fillimisht i kishte fyer, pastaj i kishte sulmuar fizikisht duke u shkaktuar lëndime trupore të përshkruara si në raporte mjekësore të Qendrës Emergjente në Ferizaj.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar.

Paraburgimi do të mbahet në Qendrën e Paraburgimit dhe nga aty dërgohet në Institutin e Fornezikës Psikiatrike në Prishtinë, me qëllim ekzaminimi psikiatrik dhe konstatim-observim të natyrës, llojit, shkallës dhe kohëzgjatjes së sëmundjes mendore, ndikimin që ka pasur gjendja mendore si dhe faktin se a e ka mundur ky i pandehur  për t’i kuptuar veprimet e tij në kohën e kryerjes së veprës penale më 03.08.2021, a është i aftë për ta mbrojtur veten të konsultohet me personat të tjerë, përkatësisht me mbrojtësin, aftësinë për ta kuptuar akuzën dhe a është i aftë për ta përballuar gjykimin.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.