Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Ferizaj, paraburgim për të dyshuarën që përmes shantazhit i kërkoi një qytetari 30 mijë euro

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës S.T., e cila dyshohet se ka kryer veprën penale – shantazh.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Shabi Idrizi, e ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës në kohëzgjatje prej 1 muaj.

E pandehura dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përmes kanosjes, do ta dëmtojë nderin apo autoritetin e personave të afërm të tij, në atë mënyrë që nga i njëjti kërkon shumën e të hollave prej 30 mijë euro, me arsyetim se kinse do ta lirojë nga akuza e dhunimit vëllanë e tij S.V., i cili tanimë gjendet në masën e paraburgimit.

E ndaluara dyshohet se ka thënë se do ta lironte të paraburgosurin përmes deklarimit të saj më 7 dhjetor, kur ishte ftuar nga Prokuroria për të deklaruar në cilësinë e të dëmtuarës.

E pandehura dyshohet se fillimisht i ka propozuar të takohen në një lokal në Ferizaj, ku i dëmtuari do t’ia dërgojë paratë e kërkuara, të cilat sipas saj do t’ia mbajë një person i besueshëm për të deri në përfundimin e deklarimit në prokurori.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e Prokurorisë dhe se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, duke vlerësuar se po të gjendej në liri e njëjta do të mund të asgjësojë, fshehë apo falsifikojë provat materiale, si dhe mund të ndikojë në dëshmitarët, të dëmtuarin, të cilët akoma nuk janë dëgjuar nga Prokuroria, në atë mënyrë që të njëjtit më pas të deklarojnë në favor të mbrojtjes së saj.