Ferizaj, paraburgim për shtetasin e Maqedonisë së Veriut, i dyshuar për kanosje ndaj prokurorit dhe familjes së tij

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit kundër të dyshuarit R.N. nga Maqedonia e Veriut për kanosje ndaj një prokurori.

Sipas një komunikate, gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit duke ia caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit për një muaj.

Në njoftim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i dyshuari ka kanosur prokurorin e shtetit lidhur me punën e tij zytare, pastaj gjithashtu ka vazhduar kanosjen edhe tek anëtarët e familjes së tij, duke i dërguar mesazhe në vazhdimësi me përmbajtje kërcënuese.

“Andaj bazuar në dispozitat e KPPRK-së, vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, dhe se po të gjendej në liri i pandehuri mund të asgjësoj, fsheh, ndryshoj ose falsifikoj provat e veprës penale apo të ndikojë në dëshmitë e të dëmtuarve dhe të dëshmitarëve tjerë, ndërsa meqë i dyshuari është shtetas i Maqedonisë së Veriut, ekziston edhe mundësia e arratisjes apo ikjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në fund të njoftimit thuhet se me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.