Ilustrim: Naser Fejza
Ferizaj, një person ther me thikë 4 kalimtarë të rastit
Një person ka therur me thikë katër kalimtarë të rastit. Ngjarja ka ndodhur në Ferizaj më 11.11.2024 rreth orës 15:40.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”.
Sipas tij, rasti ka ndodhur në rrethana ende të pasqaruara.
“Me datën 11.11.2024 rreth orës 15:40 jemi informuar se një person i moshës madhore në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci” në rrethana ende të pasqaruara u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore (therur me thikë) 4 persona kalimtarë të rastit, dy femra (të moshave nën 18-vjeçe) dhe dy meshkuj të moshave madhore, rreth 29-32-vjeçarë). Të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, 2 persona janë dërguar në QKUK – Prishtinë, ndërsa 2 të tjerë janë duke u trajtuar në Ferizaj” – ka thënë Veseli për KALLXO.com.
Veseli shton se rreth orës 16:40 është arritur që në rrugën ‘Riza Matoshi’ të arrestohet E.S. rreth 59-vjeçar.
‘Hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë (thikë) e cila dyshohet se është përdorur në rastet e sipërpërmendura’ – ka shtuar Veseli.
Për veprimet policore është njoftuar edhe Prokuroria.