Ferizaj, një muaj paraburgim për të dyshuarin për grabitje

Gjykata e Ferizajt ka caktuar e masën e paraburgimit për një muaj kundër të pandehurit F.B., i dyshuar për veprën penale – grabitje.

Sipas një komunikate për media, F.B. dyshohet se më 12 dhjetor 2020 në Ferizaj, së bashku me të pandehurin tjetër A.B. kanë kanosur punëtorin e postes së shpejtë, duke ia marrë fillimisht një telefon të markës ” Iphone 11 pro max”, në vlerë prej 815 €.

Gjatë këtij akti, A.B. i thotë të pandehurit F.B. jepja të hollat, ndërsa ky i fundit nxjerr revolen duke ia drejtuar të dëmtuarit dhe nën kërcënimin e përdorimit të armës përveç telefonit marrin edhe 107 €, të cilat i kishte realizuar nga shitjet e dy porosive të mëhershme.

“Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet  për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, duke vlerësuar se po të gjendej në liri i pandehuri mund të asgjësoj, fsheh, ndryshoj ose falsifikoj provat e veprave penale apo të ndikojë në dëshmitë e të dëmtuarit dhe të dëshmitarëve tjerë dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Ferizajt.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.