Ilustrim

Ferizaj, një 70-vjeçar dhe 31-vjeçar arrestohen për dhunë në familje

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të cilët dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike në familje.

Rasti i parë është raportuar në Polici mbrëmë rreth orës 23:00.

Sipas njoftimit të Policisë thuhet se i dyshuari 31-vjecar, me inicialet P.Sh., ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Për të njëjtin është thënë se është përsëritës i dhunës në familje.

Rasti ka ndodhur në rrugën ‘’Gjon Serreqi’’ në Ferizaj.

“I dyshuari pas një mosmarrëveshje ka shkaktuar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, ku për këtë ajo ka pranuar edhe tretman mjekësorë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje është njoftuar se i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.

Ndërsa rasti i dytë ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit.

“Në ora 03:00, policia ka pranuar një informacion se në rrugën “Fehmi Agani” në Ferizaj është një rast tjetër i dhunës në familje”, ka thënë Policia.

Tutje të njëjtit kanë njoftuar se kanë arrestuar personin e dyshuar me inicialet A.H., 70-vjeçar pas një mosmarrëveshje kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe djalit të tij.

“Dy viktimave iu janë shkaktuar lëndime trupore, ku dhe kanë pranuar tretman mjekësorë”, njofton Policia.

I dyshuari pas intervistimit nga Policia me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.