Ferizaj, në vendin ku shpejtësia e lejuar ishte 40 km/h voziste 137 km/h

Policia e Ferizajt ka njoftuar se njësia e trafikut rrugor mbrëmë në ora 23:50 ka ndaluar shoferin, i cili me automjetin e udhëtarëve shkaktoi kundërvajtje në komunikacion – tejkalim i shpejtësisë në rrugën magjistrale Ferizaj-Gjilan, më saktësisht në fshatin Bibaj, ku në zonën e kufizimit 40 km/h zhvilloi shpejtësi 137 km/h.

Në lidhje me këtë, shoferin me inicialet E.A. (28-vjeçar) Policia e ka ndëshkuar si në vijim: 300 euro gjobë, 3 pikë negative dhe tre muaj konfiskim i patentë shoferit.

Sipas Policisë, i dyshuari në tërësi e pranoi kundërvatjen e shkaktuar.

Policia e Ferizajt u ka bërë thirrje shoferëve që të respektojnë shpejtësinë e kufizuar të lëvizjes, kurse qytetarëve të bashkëpunojnë dhe për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion të njoftojnë menjëherë Policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.