Ferizaj, ish- Drejtori i Arsimit akuzohet për punësime pa konkurs

Muhamet Halili, ish- Drejtor i Arsimit në Ferizaj po akuzohet se ka punësuar mësimdhënës pa konkurs publik.

Sot ai doli para gjykatës ku deklaroi se është i pafajshëm.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku në fjalën hyrëse të tij tha do të vërtetohet gjendja e paraqitur në aktakuzë.

Ndërsa avokati i Muhamet Halilit, Fitim Shabani,  theksoi se i mbrojturi i tij ato veprime i ka kryer në interes të nxënësve dhe në interes të përgjithshëm.

Ai tha se nuk është përcaktuar ndonjë formë tjetër se si mund të veprohet në rastet kur mësimdhënësit shkojnë në pushime mjekësore, ose e ndërpresin marrëdhënie e punës pa paralajmrim, e në anën tjetër drejtoritë e arsimit janë të obliguara që t’i ofrojnë mësim të vazhdueshëm nxënësve.

Sipas prokurorisë me datë 06 Janar 2016 Muhamet Halili ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke mos publikuar konkurs publik por duke lidhur kontratë të punës për kohë të caktuar me Lumturije Rexhepi Gashi si mësimdhënëse në shkollën e mesme ekonomike ‘’Faik Konica’ ’në Ferizaj.

Më tutje sipas prokurorisë me datë 18 prill 2016, i akuzuari, pa konkurs, ka lidhur kontratë pune për kohë të caktuar me Shpëtim Sojevën si mësimdhënës në Shkollën e mesme Ekonomike ‘’Faik Konica’’.

Aktakuza thekson me këto veprime në këto dy raste, i akuzuari i ka vënë në pozitë të pabarabartë pjesëmarrësit për të realizuar të drejtën e punësimit në kushte të njëjta.

Për këto veprime ish- Drejtori i Arsimit akuzohet se ka kryer veprat penale: Keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe cënim të drejtave të punësimit në kushte të njëjta.

Seanca e radhës ku do të ftohen dëshmitarët është caktuar me 27 nëntor dhe me 12 dhjetor.