Ferizaj, i dyshuari kapet nga policia duke vjedhur në këmbimore

Policia në rajonin e Ferizaj ka njoftuar se ka arrestuar në flagrancë një person të dyshuar duke tentuar që të kryejë një vjedhje të rëndë.

Sipas  njoftimit, mbrëmë pak para mesnate, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Ferizaj, policia ka arritur të arrestuar të dyshuarin B.B., 33 vjeçar.

Sipas njoftimit, i dyshuari me forcë ka depërtuar në një këmbimore për të vjedhur dhe i njëjti është arrestuar në flagrancë.

Si prova materiale te i dyshuari janë gjetur dhe konfiskuar një laptop, dy radiolidhje, dy zmadhues, 60 euro, 290 lek 228 denar, gjashtë telefona të ndryshëm, dy portofola, një kaqavidë, dhe një palë gërshërë.

I dyshuari në prezencë të avokatit ka pranuar në tërësi veprën e kryer dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt.