Foto: Facebook/ Komuna e Ferizajt

Ferizaj hap konkurs për bursa ende pa i paguar ato të vitit 2018/2019

Ndonëse Komuna e Ferizajt ende  nuk i ka ndarë mjetet për bursat e  vitit akademik 2018/2019, ajo ka hapur konkursin e ri për vitin 2019/2020.

Ky konkurs është hapur më 4 shkurt dhe do të jetë i hapur deri më 18 shkurt.

Me bursa është paraparë të shpërblehen 75 studentët më të dalluar të Ferizajt.

Por kjo Komunë ka hapur konkurs ndërsa nuk i ka paguar ato të vitit akademik 2018/2019.

KALLXO.com kishte raportuar për problemin e rreth 100 studentëve, përfitues të bursave, të cilët ende presin t’i marrin të hollat.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Lorita Rama, kryetare e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal të Ferizajt.

“Jo, studentët nuk i kanë marrë ende bursat dhe gjithashtu Komuna nuk ka kthyer asnjë lloj përgjigje në kërkesat e tyre”, tha Rama.

Njëra nga fitueset e bursave i tha KALLXO.com se Komuna u kishte premtuar se nuk do të hapë konkurs të ri pa iu ndarë  mjetet atyre.

“Çdoherë që kemi shku në Komunë janë arsyetu që nuk mund të hapim konkurs pasi që ne ende nuk i kemi marrë bursat tona”, tha ajo për KALLXO.com.

Ndërkaq, drejtori për Arsim në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, në një përgjigje për KALLXO.com tha se buxheti për bursat e vitit akademik 2019/2020 veçse është ndarë.

“Sa i përket konkursit të hapur për këtë vit, ne kemi ndarë buxhetin dhe na duhet të zhvillojmë procedurat për konkursin e ri në afatet që kemi paraparë”, tha Llabjani.

Kurse i pyetur se çfarë është bërë në lidhje më bursat për vitin akademik 2018/2019, ai tha së për këtë çështje nuk ka diçka të re.

“Ne edhe më parë ju kemi përgjigjur lidhur me bursat e vitit shkollor 2018/2019  dhe ju kemi sqaruar çështjen”, theksoi drejtori i Arsimit

Afrim Llabjani i kishte thënë KALLXO.com se mjetet nuk janë ndarë për studentë për shkak të përmbaruesve me të cilët po përballet kjo Komunë.