Ferizaj, Gjykata vendosi për të dyshuarin për kanosje ndaj motrës

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.T., i cili po dyshohet për veprën penale – kanosje.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit.

Tutje në njoftim thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore, paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës, pasi po të gjendej në liri i pandehuri mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale apo të ndikojë në dëshmitë e të dëmtuarës, përkatësisht motrës së tij dhe të dëshmitarëve tjerë, dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale.

Pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri më 15 janar 2021, në Ferizaj, nëpërmjet telefonit celular në rrjetin e komunikimit “Viber” i ka dërguar të dëmtuarës – motrës së tij foto të një revoleje dhe disa fishekëve dhe  SMS me fjalët: “krejt në ballë ka me ja njeh”, me ç’rast kjo kanosje ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe pasiguri  tek e dëmtuara.