Çekani i drejtesise - Ilustrim

Ferizaj, Gjykata e Apelit e kthen në shtëpi viktimën e dhunës në familje

Gruaja me iniciale M.Z nga Ferizaj, viktimë e dhunës në familje ka fituar të drejtën e kthimit në shtëpi pasi ishte dëbuar nga aty me vendim të gjykatës.

Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Ferizajt, duke ia dhënë të drejtën e kthimit në shtëpi gruas me iniciale M.Z. së bashku me nënën e ish-burrit të saj.

Gjykata e Ferizajt me 10 korrik  kishte sjellur aktvendim me të cilin burrit A.Z., të dënuar për dhunë ndaj bashkëshortes M.Z, ia kishte ndaluar që mos t’i afrohet në një distancë prej 100 metra në vendbanimin ku ajo jeton kurse 10 metra në vende publike.

Gjithashtu,Gjykata e Ferizajt kishte vendosur që A.Z. të ja paguajë të dëmtuarës qiranë për banim ne një banesë private duke e urdhëruar M.Z, që ta lëshojë shtëpinë ani pse aty e dëmtuara jetonte bashkë me fëmijën e tyre të përbashkët dhe me nënën e A.Z.

Në vendimin e Gjykatës se Apelit të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se me vendimin për largimin e M.Z nga shtëpia, ishte cënuar dinjiteti i saj.

“Është vërtetuar pa mëdyshje fakti se A.Z. kishte shkaktuar dhunën në familje duke shkaktuar frikë dhe kanosje tek e dëmtuara duke ia cënuar edhe dinjitetin e saj me largim nga shtëpia, e cila jetonte së bashku me fëmijët dhe me nënën e shkaktarit te dhunës në familje”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Në vazhdim Gjykata e Apelit ka gjetur se Gjykata e Ferizajt e ka trajtuar palën e dëmtuar si palë përgjegjëse (shkaktare të dhunës në familje), ani pse e dëmtuara kishte kërkuar urdhër mbrojtje nga Gjykata.

“Në veprimet e palës përgjegjëse është manifestuar largimi nga shtëpia ani pse sipas ligjit askush nuk ka të drejte qe ta dëbojë tjetrin me dhunë nga shtëpia. Kthimi në shtëpi i palës së mbrojtur është vendosur në harmoni me ligjin duke pasur parasysh interesat e fëmijës e që në rastin konkret kemi te bëjmë me nje vajzë të mitur”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Kujtojmë se A.Z. është zyrtar i Komunës së Ferizajt dhe se i njëjti ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë për veprën penale të dhunes në familje. 

Punëtori i Komunës së Ferizajt i dënuar për rrahjen e gruas i kërkon edhe të largohet nga shtëpia