Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ferizaj, gjobitet me 50 euro qytetari që lëvizi me veturë në trotuar (FOTO)

Policia e Kosovës e ka gjobitur një qytetar të Ferizajt me 50 euro për shkak se ka lëvizur me veturë në vendin ku është i ndaluar qarkullimi i veturave.

“Është identifikuar personi, i cili me automjetin e tij të udhëtarëve shkaktoi kundërvajtje në komunikacion, mos respektim i shenjës së komunikacionit, ku me veprimin e tij rrezikoi këmbësorët”, theksohet në njoftimin e Policisë në Ferizaj.

Kjo informatë, me video, u dërgua nga një qytetar në adresën e policisë.

Policia, e ftoi qytetarin L.Z (M/K) 61 vjeçar, në stacionin policor të Ferizajt dhe ai në tërësi e pranoi kundërvatjen e shkaktuar dhe për këtë mori gjobë, sipas Ligjit të komunikacionit rrugor.

Ngjarja kishte ndodhur më 27 korrik në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj rreth orës 21:00 ndërsa gjoba të njëjtit i është shqiptuar më 1 gusht.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj inkurajon qytetarët, si në këtë rast, që të njoftojnë policinë pa hezitim, për kundërvajtjet e ndryshme që mund të shkaktohen në komunikacionin rrugor.